Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, anulimin e Ligjit për Pagan nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e ka vlerësuar si lajm jo të mirë dhe dekurajues.
Zemaj thotë se me gjithë mirëkuptimin e plotë ndaj zhgënjimit që mund ta kenë profesionistët shëndetësor me epilogun e këtij ligji, si institucione dhe shoqëri janë të obliguara që të zbatojmë vendimet e institucioneve shtetërore, në këtë rast vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ky është statusi i Zemajt i plotë:
Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhjen për shpalljen nga Gjykata Kushtetuese si të pavlefshëm të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, me të cilin parashihej ngritja e pagave për profesionistët shëndetësor të sektorit publik shëndetësor në Republikën e Kosovës.
Shpallja e këtij ligji si të pavlefshëm, ndonëse kundërshtimet lidheshin më shumë me sektorët e tjerë, përbën një lajm jo të mirë dhe dekurajues për profesionistët shëndetësor.
Ne e kuptojmë këtë edhe sikur ata të mos e shprehin vet.
Megjithatë, me gjithë mirëkuptimin e plotë ndaj zhgënjimit që mund ta kenë profesionistët shëndetësor me epilogun e këtij ligji, si institucione dhe shoqëri jemi të obliguara që të zbatojmë vendimet e institucioneve tona shtetërore, në këtë rast vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kjo nuk nënkupton që me këtë akt, ka përfunduar çdo gjë rreth angazhimeve për përmirësimin e pozitës materiale të profesionistëve shëndetësor, sepse, Ministria e Shëndetësisë do ta ndërmarrë hapa në drejtim të zhvillimit të një dialogu të drejtpërdrejt me Odat e profesionistëvë shëndetësor, Sindikatat dhe mekanizmat e tjerë, me qëllim që të gjejmë rrugën më të mirë dhe më adekuate për të shtyrë para dhe mbrojtur interesat e profesioneve mjekësore.
Pandemia dhe puna që personeli shëndetësor kanë treguar gjatë kësaj kohe është një argument më shumë për të bindur edhe të tjerët se është e domosdoshme që nismat ligjore për përmirësimin e statusit social të punonjësve shëndetetësor janë të domosdoshme.
Prandaj, jo nga sot, por nga dje, ne jemi të angazhuar që në bashkëpunim me Qeverinë të shohim cila do të jetë alternativa më e mirë që punonjësve shëndetësor t’u respektohen të drejtat e tyre dhe të trajtohen me dinjitet brenda shoqërisë sonë.
Në të njëjtën kohë, u bëj thirrje të gjithëve në sektorin shëndetësor që të vazhdojnë sikurse deri më tani, që më pjekurinë më të lartë profesionale, përkushtim dhe angazhim të menaxhojnë me rastet pozitive të Covid-19, që vazhdon të mbetet një kërcënim serioz për shëndetin publik të popullatës tonë.
Suksesi në menaxhimin e pandemisë Covid-19 do të jetë argumenti ynë më i fuqishëm për të mbështetur një ligj që as nuk do të kontestohet nesër nga ndonjë komunitet apo gjykatë, por edhe i cili do të jetë i zbatueshëm dhe do të mbroj interesat e profesionistëve shëndetësor.
I siguroj punëtorët shëndetësor dhe qytetarët se do të jemi bashkë në secilën sfidë dhe do t’ia dalim, pavarësisht pengesave të natyrave të ndryshme, të cilat mund të shfaqen gjatë rrugës tonë drejt luftimit të Covid-19, por edhe drejt përmirësimit të pozitës së punonjësve shëndetësor në vendin tonë. Ky nuk është një zotim për ngushëllim, por për ta mbajtur dhe për të punuar në realizimin e tij./Tv Malisheva