Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli ka leje për të ateruar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, leje kjo e cila i është lëshuar sot në orën 11 nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit.

Kështu ka bërë të ditur shefi i kabinetit të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Alban Zogaj, i cili tha se ditën e djeshme fluturimi është anuluar me kërkesë të Behgjet Pacollit, ndërsa leja i është rinovuar ditën e sotme.

Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli, gjatë ditës është ankuar për moslejim që të aterojë me aeroplanin e tij në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” pa u vendosur në karantinë.

Zogaj: Sot është lëshuar leja e dytë në orën 11 për të ateruar për ditën e sotme

“Prapë ka leje z.Pacolli për të ateruar në Aeroportin e Prishtinës, sot është lëshuar leja e dytë në orën 11 për të ateruar për ditën e sotme, pra ekziston leja. Sa herë që anulohet fluturimi e dje është anuluar me kërkesë të z.Pacolli, atëherë secilën herë duhet rinovohet leja dhe ne sot kemi rinovuar lejen për fluturim. Nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit gjithçka është në rregull”, tha ai.

Ai tha se si ministri sa iu përket përgjegjësive të tyre për dhënien e lejes këtë e kanë bërë, ndërsa për pjesën e karantinës ai tha se përgjegjëse është Ministria e Shëndetësisë.

Zogaj: Ne e kemi kryer përgjegjësinë tonë, kemi dhënë lejen e fluturimit

“Ne sa i përket përgjegjësisë tonë për dhënin e lejes së fluturimit ne e kemi kryer përgjegjësinë tonë, kemi dhënë lejen e fluturimit, pastaj për pjesën e karantinës ka përgjegjësi Ministria e Shëndetësisë”, tha ai.

Ndërkaq, Zogaj ka treguar se janë mbi 2 mijë aplikime për t’u kthyer në Kosovë. Ai tha se deri më tani kanë realizuar 7 fluturime, ndërsa ditëve në vijim pritet të organizojnë fluturim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Skandinavia.

E kthimi i qytetarëve të Kosovës nga vendet e tjera, Zogaj tha se po varet nga numri i vendeve që janë në Qendrën e Studentëve që është kthyer në karantinë.

Zogaj: Të gjitha kthimet po na varen shumë prej hapësirave që kemi në qendrën e karantinës

“Të gjitha kthimet po na varen shumë prej hapësirave që kemi në qendrën e karantinës. Aktualisht janë të vendosur diku rreth 200 qytetarë në qendrën e karantinës dhe kemi të lira diku rreth 200-300 vende. Kështu që, në momentin që po lirohen vende në qendrën e karantinës ne po kthejmë qytetarët të tjerë. Sa më shumë vende në qendrën e karantinës aq më shumë mundësi për ne për të kthyer qytetarët e Kosovës që janë të interesuar të kthehen në vendin e tyre… Ne nuk kemi mandat për këtë pjesë, po më shumë e ka nën përgjegjësi Ministria e Shëndetësisë, ata e kanë pa si shumë të përshtatshme Qendrën e Studentëve për të qenë qendër e karantinës dhe tani po e menaxhojmë të gjithë këtë situatë përmes Qendrës së Studentëve dhe nuk ka pasur një vendim të ri për të rritur hapësirat ose për të analizuar një vend tjetër”, tha ai./ Tv Malisheva

Share.