- Reklamë e sponsorizuar -

Përkundër kushteve të rënda të punës si pasojë e COVID-19, Zyra Kombëtare e Auditimit sot ka përfunduar raportin vjetor të auditimit për pasqyrat vjetore financiare të buxhetit të Kosovës për vitin 2019, duke përmbyllur kështu me sukses të plotë vitin e auditimit.

Përveç performancës financiare të Qeverisë, raportet e kësaj zyre kanë ofruar informata shtesë edhe për fushat tjera që kanë të bëjnë me afarizmin e ndërmarrjeve publike, performancën e shpenzimeve të fondeve publike, si dhe zbatimin e procesit të prokurimit e raportimit financiar.

Gjatë vitit raportues Zyra Kombëtare e Auditimit ka audituar 95 organizata buxhetore me një buxhet të përgjithshëm rreth 2.5 miliardë, 14 ndërmarrje publike në fushën e telekomunikimit, furnizimit me ujë dhe trajtimit të mbeturinave, 13 auditime të performancës si dhe 9 projekte të financuara nga fondet e donatorëve.

Me rastin e përfundimit të vitit auditues, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, tha se fokusi parësor kanë qenë vlerësimet për cilësinë e raportimit financiar, dizajnimin dhe efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, si dhe pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret në fuqi.

“Përmes procesit të auditimit kemi konstatuar se ka një progres të lehtë në fushën e raportimit financiar, por mangësitë dhe dobësitë më të theksuara vazhdojnë të mbeten në aktivitetet ekzekutive të buxhetit ku shumë projekte kapitale fillohen pa fonde të mjaftueshme, dhe për shkak të kësaj, ato rrallëherë përfundohen me kohë, ndërkohë që mbikëqyrja nuk parandalon devijimet e shumta nga kushtet e përcaktuara me kontrata”, tha ai.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka kërkuar nga Qeveria të forcojë disiplinën financiare, pasi shumat e detyrimeve të papaguara dhe llogarive të arkëtueshme kanë arritur shifra të larta, dhe pa dyshim janë sfidat kryesore të Qeverisë derisa regjistrimi dhe menaxhimi i pasurive paraqesin një problem të përsëritur prej shumë vitesh, dhe progresi në këtë fushë është i varfër.

Zyra Kombëtare e Auditimit më 15 shtator fillon vitin e ri të auditimit dhe aktualisht në mënyrë intensive po punohet në planin vjetor të punës 2020/21./TV Malisheva

- Reklamë e sponzorizuar -