Këshilli Drejtues i AAK-së ka mbajtur sot një takim në të cilin është diskutuar për qeverisjen aktuale, pandeminë në vend dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

Nënkryetari Ardian Gjini ka thënë pas takimit se Kosova ka probleme me pandeminë COVID-19 dhe duhet të ketë një strategji afatgjate duke pasur parasysh se përballja me këtë sëmundje të rrezikshme do të jetë për një kohë të gjatë sikurse në të gjithë botën.

Gjini: Këshilli drejtues ka diskutuar disa tema

“Këshilli drejtues ka diskutuar disa tema duke nisur nga pandemia, qeverisja, rrethanat tjera që kanë të bëjnë me politikën. Kosova ka probleme me pandemi, por mendojmë se në rrethanat ekzistuese qeveria po e bën maksimumin për menaxhimin e situatës. Kemi viktima, por provojmë të shikojmë si mund të balancohet situata edhe me çështje ekonomike, pasi edhe të gjithë Evropa dhe bota do të bashkëjetojnë me virus për një kohë të gjatë dhe startegjizimet duhet të jenë më të gjata dhe jo vetëm për një muaj. Kemi biseduar edhe për çështjen e hapjes së shkollave dhe ministri do t’i hapë ata skenarë”, ka thënë Gjini.

Ai ka shprehur qëndrimin e AAK-së kundër shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja, teksa ka bërë të ditur se do të diskutohet edhe çështja e kandidaturës së mundshme të Ramush Haradinajt për postin e presidentit.

Gjini: Ka thirrje në Këshillin Drejtues që Haradinaj të jetë kandidat për president

“Edhe te çështja e qeverisjes dhe mendojmë se mund të kemi rrethana të reja sa i përket zgjedhjes së presidentit të Kosovës sepse edhe nëse nuk do të ketë konfirmim të aktakuzës së Thaçit, e që ne të gjithë ne njëzëri shpresojmë se nuk do të konfirmohet ajo aktakuzë, prapëseprapë për katër apo pesë muaj duhet të hyjmë në proces të zgjedhjes së presidentit dhe AAK mendon se vendi duhet të shkojë zë zgjedhje, pasi që nuk do të mund të arrijmë ta zgjedhim presidentin dhe shpresoj se partitë politike do të gjejnë rrugën për të zgjedhur presidentin e vendit. Ka thirrje në Këshillin Drejtues që kryetari Ramush Haradinaj të jetë kandidat për president. Këto çështje ne do t’i diskutojmë. Por, ajo që thashë si rrumbullakim duhet të gjejmë rrugë që të mos shkojmë në zgjedhje në kohë pandemie, por nëse nuk gjejmë rrugë atëherë definitivisht duhet të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Gjini.

Nënkryetari i AAK-së ndërkaq ka hedhur poshtë mundësinë e prishjes së koalicionit qeverisës me LDK-në për shkak të mos pajtimeve rreth modelit të dialogut me Serbinë.

Gjini: Kritikat ndaj dialogut nuk nënkuptojnë prishje të koalicionit

“Kritikat e AAK-së dhe Haradinajt për modelin e dialogut nuk nënkuptojnë mos mbështetje politike për qeverinë dhe nuk nënkuptojnë prishje të koalicionit”, tha Gjini.

Sa i përket mos pajtimeve rreth dërgimit të koordinatorit shtetëror për dialogun Skënder Hyseni, nënkryetari Gjini tha se Haradinaj do të bisedojë me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa dhe kryeministrin Hoti, pasi AAK-së është pro pjesëmarrjes së SHBA-së në procesin e dialogut.

I pyetur se do të ketë rimodelim të Qeverisë Hoti, nënkryetari Gjini ka thënë se kryeministri Avdullah Hoti pas kthimit nga vetizolimi për shkak të COVID-19, do të ketë bisedime lidhur me këtë çështje.

Share.