I dërguarin e Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar një takim edhe në AAK.
Ai aty nuk është pritur nga kryetari Ramush Haradinaj, por nga anëtarë të tjerë të partisë.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se Lajçakut i prezentuan përkushtimin e AAK-së për procesin e dialogut dhe qëndrimin e pandryshuar për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke në kufijtë ekzistues.
Po ashtu ai ka thënë se BE para së gjithash, pas plotësimit të të gjitha kritereve, Kosovës t’i jap një vendim të shpejtë për heqjen e regjimit të vizave.
Ky është statusi i tij i plotë:
Në takim me të dërguarin e Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajčák, prezentuam përkushtimin e AAK-së për procesin e dialogut dhe qëndrimin e pandryshuar për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Roli aktiv i ShBA-së në dialog, për të cilin ka qenë i zëshëm dhe këmbëngulës në vazhdimësi kryetari Haradinaj, ka rritur shpresat që dialogu Kosovë-Serbi, i zgjatur për një dekadë, do të finalizohet me njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Për shkak të qëndrimeve të ndryshme përbrenda BE-së në lidhje me ndryshimin e territoreve, ka ndodhë një lëkundje e besimit. Megjithatë, Aleanca përshëndetë angazhimin e BE-së në dialog, nën udhëheqje të ShBA-së. Në kuadër të takimit, ritheksuam, se BE para së gjithash, pas plotësimit të të gjitha kritereve, Kosovës t’i jap një vendim të shpejtë për heqjen e regjimit të vizave./ Tv Malisheva