Nga nesër do të pezullohet përkohësisht puna në ambulancat specialistike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Kjo përshkak të rritjes së numrit të spitalizuarve me COVID-19. Hapësirat e ambulancave specialistike tani do të shërbejnë për spitalizimin e pacientëve me COVID-19.

Kështu ka bërë të ditur Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, njofton të gjithë qytetarët se për shkak të rritjes së numrit të spitalizuarve me COVID-19, në klinikat e QKUK-së, me Vendim të Komitetit për ngritje të gatishmërisë dhe menaxhimit të situatës me COVID-19, nga data 31 gusht 2021, pezullohet përkohësisht puna në ambulancat specialistike në QKUK. Hapësirat e ambulancave specialistike do të shërbejnë për spitalizim të pacientëve me COVID-19”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

ShSKUK kërkon nga qytetarët që në QKUK dhe në spitalet rajonale të drejtohen vetëm për raste urgjente.

“ShSKUK, kërkon falje dhe mirëkuptim nga pacientët duke iu siguruar se menaxhmenti i ShSKUK-së është duke bërë të pamundurën për t’iu ofruar shërbimin shëndetësor të gjithë pacientëve në nevojë. Në të njëjtën kohë ju apelojmë që të vaksioniheni dhe të respektoni masat anti-Covid, në mënyrë që sa më shpejt të tejkalohet kjo situatë”, thuhet më tej në njoftimin e ShKUK-së. /TV Malisheva

Share.