Ramush Haradinaj e Isa Mustafa sot janë takuar, me ftesë të këtij të fundit për të biseduar rreth mundësisë së një koalicioni. Liderët e këtyre dy partive kanë folur për luftimin e pandemisë së korona virusit, megjithatë edhe jo detajet e ndarjeve të pushtetit, në rast të një koalicioni të mundshëm.
Sekretari i AAK-së, Besnik Tahiri sot ka konfirmuar takimin Haradinaj-Mustafa për koalicionin e ri qeverisës. Ku sipas tij, dy kryetarët janë pajtuar që duhet të ketë sa më parë një qeveri të re.
“Siç jeni të informuar me ftesë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës ishte një takim me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Ky ishte një takim pune ku diskutuam për situatën në të cilën gjendet Kosova, krizën institucionale. U dakorduam që është imperativ i kohës që sa më shpejt që është e mundur të kemi një qeveri të re, e cila do të ketë besimin e shumicës në Kuvend dhe do të merret me detyrat parësore, të cilat tani më janë të njohura. Në radhë të parë me punën intensive me luftën kundër koronavirusit që duhet ta kryejë Qeveria e Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Tahiri tha se nuk janë biseduar detajet, pasi që ka shumë gjëra që duhet të trajtohen brenda dy partive dhe të arrihet dakordim i brendshëm.
“Ky ishte një takim pune dhe nuk ishte takim i detajeve që trajton aspektet e një koalicioni të ardhshëm dhe ju e dini se LDK-ja ka pasur një votim në Këshillin Drejtues dhe kanë votuar pro një koalicioni potencial dhe ne jemi po ashtu në një proces të brendshëm të diskutimit, për shkak se edhe aspekti i koalicionit i AAK-së me LDK-në duhet t’i nënshtrohet një votimi në Këshillin Drejtues. Nuk ka qenë takim rreth ndarjeve të pushtetit, nuk ka qenë takim rreth detyrave specifike”, tha Tahiri.
Ndër të tjera, Tahiri ka potencuar se nuk kanë përcaktuar një datë të ardhshme për një takim me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Tahiri ka deklaruar se Qeveria Kurti ka marrë vendim për heqjen e taksës ndaj Serbisë pa asnjë kushtëzim.
“Në takim nuk është diskutuar kjo temë, thash nuk janë diskutuar detajet, ajo që dua të them është shumë e padrejtë që në këto rrethana të adresohet gishti te AAK-ja sa i përket taksës dhe reciprocitetit. Në fakt, vendosja e taksës në Qeverinë Haradinaj ka përfshirë edhe vetë reciprocitetin. Fatkeqësisht, Qeveria Kurti ka marrë vendim për largimin e taksës pa asnjë kushtëzim, duke e bërë një dëm të madh në kauzën dhe krijimin e një ballafaqimi me Serbinë, në veçanti në dialog. Kosova mendoj se është zhveshur nga një instrument politik. Vendosja e taksës nuk ka qenë vetëm instrument ekonomik, por edhe politik. Në këtë kuptim çfarëdo adresimi në këtë temë është e gabuar “, ka thënë Tahiri.
Ani pse nuk u diskutua për detajet në këtë takim, Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se posti i presidentit nuk do të jetë pjesë e pazareve politike, pasi kjo pozitë duhet t’i nënshtrohet një votimi të dy të tretave në Kuvend. /Tv Malisheva