Koha në të cilën njerëzit me simptoma koronavirusi duhet të qëndrojnë në vetizolim do të rritet në Britani të Madhe nga shtatë në 10 ditë.
Kjo vjen ndërsa qeveria po përpiqet të evitojë një rikthim të virusit në Britaninë e Madhe. Aktualisht, njerëzit që shfaqin simptomat kryesore, kollë të vazhdueshme, temperaturë dhe humbje të shijes apo nuhatjes, duhet të vetë izolohen të paktën për një javë.
Masa vjen pasi kryeministri britanik paralajmëroi për shenjat e një vale të dytë të pandemisë në pjesë të Evropës.
Ka shqetësime ndërkohë edhe për disa shpërthime lokale në Britaninë e Madhe, përfshirë këtu Oldhamin, Vrexhamin dhe statfordshajërin. Ndërkohë qeveria pritet të rishikojë edhe kufizimet në Leicester, një muaj pasi qyteti u vendos në izolim pas një rritje të rasteve atje.
Kërkesa e Britanisë së Madhe që personat që rezultojnë pozitivë të izolohen për shtatë ditë, ka qenë në fakt gjithnjë më e ulët krahasuar me vende të tjera që kërkojnë 10 apo edhe më shumë ditë izolim për ta.
Por duke qenë se koronavirusi është i ri, nuk ka siguri se sa gjatë një person i prekur mund të jetë infektues.
Kërkimet tregojnë se një person mund të infektojë të tjerë që dy ditë para se simptomat të zhvillohen dhe të vazhdojë të jetë i tillë gjatë periudhës që kanë simptoma. Zakonisht kjo nuk zgjat më shumë se shtatë ditë.
Ata që zhvillojnë simptoma edhe më gjatë, këshillohen të vazhdojnë vetizolimin. Por, vendimi për të bërë të detyrueshëm izolimin për 10 ditë, për të gjithë të prekurit, është marrë për disa arsye.
Ka të dhëna se njerëzit vazhdojnë të përhapin virusin edhe pasi simptomat përfundojnë. Një tjetër faktor është edhe identifikimi, gjithnjë e më shumë i personave të prekur që nuk shfaqin simptoma./Tv Malisheva