Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Gazmend Bytyqi thotë se ligji për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk paraqet kërcënim për asnjë qytetarë të Kosovës. Sipas tij, shqetësimet e miqve ndërkombëtarë janë të panevojshme.

Ai gjatë prezantimit të projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në seancën e Kuvendit të Kosovës, tha se është e rëndësishme që të vlerësohet e kaluara e Kosovës.

Bytyçi shtoi se duhet të tregohet bindshëm që nuk jemi popull “mjeran”.

Bytyqi: Nuk është ligji më i mirë por qëllimi është i mirë

“Jemi të vetëdijshëm që nuk është ligji më i mirë, por qëllimi është më shumë se i mirë. Qëllimi kryesor i këtij ligji është mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së. Është përcaktim i popullit çka është vlerë dhe cila është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me strukturën nga shtabi i përgjithshëm deri tek zonat operative. Pjesë e dokumentimit të kësaj më lartë është arkivi i UÇK-së. Ndërsa vlerë e mbrojtjes dhe që duhet ta promovojmë është kompleksi “Adem Jashari”, në Prekaz dhe komplekse të tjera. Me rëndësi është mbrojtja institucionale, një kërkesë e kamotshme dhe një nevojë emergjente që gjithashtu është nen i veçantë në këtë ligj”, ka thënë ai.

Muzeu i Luftës tha se duhet të jetë një institucion që do të shpërfaq të gjitha vuajtjet e shqiptarëve. Bytyqi tha se ka shumë të burgosur politikë, deputetë që kanë humbur shumë familjarë, e për këtë sipas tij, është koha që të vlerësohen vlerat e luftës.

Bytyqi: Ky ligj nuk paraqet kërcënim për asnjë qytetar të Kosovës

“Ky ligj nuk paraqet kërcënim për asnjë qytetar të Kosovës. Shqetësimet e miqve tanë ndërkombëtarë janë të panevojshme, ngase do të jemi të hapur që të punojmë bashkarisht për leximin e dytë, sidomos me miqtë amerikanë që këtë ligj ta begatojmë me normat më të larta demokratike”, ka shtuar ai.

Sipas ligjit, “Çdo zyrtar publik dhe qytetar i Republikës së Kosovës detyrohet t’i respektojë dhe mbrojë vlerat e luftës të përcaktuara me këtë ligj në çdo kohë dhe çdo rrethanë brenda dhe jashtë vendit”. Gjithashtu, “me rastin e ndaljes dhe arrestimit të veteranit të UÇK-së, sipas fletë-arresteve ndërkombëtare të lëshuar nga Serbia, me motive politike, Qeveria e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme për mbrojtjen e veteranit”.

Në rast se projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë eurosh, pa i llogaritur edhe investimet.

Share.