KQZ-ja ka certifikuar katër kandidatë për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut. Të parit të komunës në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 29 nëntorit do të ia mësyjnë, Milan Radojevic nga Lista Serbe, Dushan Milunoviq si kandidat i pavarur, Florent Azemi nga PDK dhe Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.
Por për këtë të fundit është dashur të votohet dy herë, pasi në mungesë të dy anëtarëve të KQZ-së në mbledhjen e sotme dhe votën kundër të anëtarit nga komuniteti turk, Rifat Krasniq dështoi të certifikohet ai. Por pas presionit të anëtarëve tjerë dhe një pauze, Kransni ndryshoi qëndrim dhe votoi pro certifikimit të kandidatit të LVV-së.
Drejtori i zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, Yll Buleshkaj tha se gjitha këto subjekte politike që kanë aplikuar për certifikim i kanë plotësuar kushtet ligjore.
Buleshkaj: Gjitha këto subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim i kanë plotësuar gjitha kushtet
“Gjitha këto subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim i kanë plotësuar gjitha kushtet që parashihen me ligj. Dy nga këto janë nga komuniteti shqiptar, dy nga komuniteti serb. Po ashtu dy nga këto janë të përfaqësuar në kuvendin komunal, dy nuk janë. Arsyeja që e ceki përfaqësimin në nivel komunal është se dokumentacioni i dorëzuar ndryshon varësisht nëse janë anëtarë, apo jo… rekomandoj para jush që të certifikoni Listën Serbe, Milan Radojevic nga Lista Serbe, Dushan Milunoviq si kandidat i pavarur, Florent Azemi nga PDK dhe Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje. Radhitja është në bazën të kohës kur e kanë dorëzuar aplikacionin”, tha ai.
Rivotimi për certifikimin e kandidatit të LVV-së u kërkua nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e cila tha se në këtë formë vetëm vonohet procesi, pasi PZAP do ta obligojë KQZ-në të certifikoi Atiqin.
Daka: Mos ta bëjmë punën që PZAP të na obligojë të certifikojmë
“Mos ta bëjmë punën që PZAP të na obligojë të certifikojmë. Vetëm e shtyjmë është çështje se ne si anëtarë të KQZ-së në radhë të parë duhet të respektojmë ligjin dhe kushtetutën. Jo të merremi me inate, favore apo gjëra personale. Në rastin konkret ne e dina qysh tani rezultatin e ankesës në PZAP. Vetëm e prolongojmë pasi ne kemi obligim ligjor me certifikuar ata që i plotësojnë kushtet ligjore”, tha ajo.
E në tentimin e dytë, anëtarët e KQZ-së me 8 vota pro certifikuan edhe kandidatin Erden Atiq për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut nga radhët e LVV-së.
KQZ-ja gjatë mbledhjes sotme diskutuan edhe për mënyrën e votimit të personave që janë të prekur me Covid 19.
Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së. Burim Ahmeti tha se janë duke shqyrtuar të marrin shembullin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut. Por shtoi se po presin edhe rekomandimet e IKShPK-së.
Ahmeti: Jemi në pritje të udhëzimeve të Institutit për mënyrën e votimit të personave me Covid 19
“Ekipet mobile që janë dërguar për të marrë votat nga votuesit e ngujuar zakonisht kanë qenë nga institutit, përkatësisht nga qendrat medicinale. Ne mendojmë që të jenë të shoqëruar edhe me ekipet tona mobile. Kjo është forma që mendojmë të organizojmë, por sidoqoftë ne jemi në pritje prej institutit për të na dhënë rekomandimet e qarta në mënyrë që gjitha veprimet të jenë në rregullat me COVID-19”, tha ai.
Të dielën e fundit të muajit nëntor pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.