Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) sot ka mbajtur një konferencë për mediat, përmes së cilës presidenti Agim Ademi njoftoi vendimin për shkarkim të trajnerit Bernard Challandes.
Kjo vjen si pasojë e rezultateve jo të mira të Kosovës, ku në tre ndeshjet e fundit regjistroi tre humbje kundër shteteve si Spanja, Suedia dhe Gjeorgjia.
Fillimisht, presidenti Ademi njoftoi vendimin e marrë për shkarkimin e Challandes, duke e falënderuar trajnerin zviceran për punën e deritanishme me ekipin A.
Ademi: Nga sot Challandes nuk do të jetë trajner i ekipit A
“Ne duke pasur parasysh objektivat tona të cilat i kemi pasur në këtë ekip, dhe punën që e kemi bë deri tash falënderojmë për punën që e ka bë Challandes sepse me të kemi filluar një cikël jashtëzakonisht të mirë. E kemi pas Ligën e Kombeve ku jemi shpallur kampionë edhe është historike kjo punë, por gradualisht gjatë ardhjes së mëtejshme nuk i kemi përmbushur objektivat tona të cilat i kemi pas, dhe në mënyrë të përbashkët sot kemi vendosur me ndërpre bashkëpunimin në kuadër të aspektit të shefit të shtabit të ekipit nacional A. Pra që nga sot selektori jonë Challandes nuk do të jetë selektor i ekipit A, por gjithsesi duke e falënderuar dhe do të vazhdojmë bashkëpunimet tona në format tjera”, tha Ademi.
Pas Ademit, trajneri Challandes foli rreth këtij vendimi, ku u shpreh i pikëlluar që të dy palët kanë arritur deri te një moment i tillë.
Challandes: Jam i pikëlluar, por ishte kënaqësi e madhe të punoja këtu
“Thellësisht jam shumë i pikëlluar që kemi arritur te një moment i tillë dhe te një ditë e tillë mirëpo më duhet të them që ka qenë një kënaqësi e madhe që kam punuar këtu. Qysh në fillim të kohës kur kam ardhur këtu kemi pasur një qëllim të përbashkët në atë periudhë e kemi nisur një projekt të përbashkët me Fadil Vokrrin dhe pastaj e kemi vazhduar me Agim Ademin, e ai qëllim i yni i përbashkët ka qenë që ta zhvillojmë futbollin në Kosovë, dhe mendoj që e kemi bërë një punë të mirë, mendoj që kemi arritur diçka goxha të madhe në këtë aspekt”, tha Challandes.
Po ashtu, trajneri zviceran tregoi që është tejet i kënaqur me bashkëpunimin që e kishte me futbollistët, dhe me bashkëpunimin që e ka treguar Federata e Futbollit të Kosovës drejt tij.
Challandes: Kjo ishte një prej periudhave të mija më të mira si trajner
“Përveç futbollistëve ka qenë kënaqësi shumë e madhe që të bashkëpunojë me Federatën në përgjithësi por edhe me secilin prej anëtarëve të stafit dhe bashkëpunëtorët e ngushtë që i kam pasur gjatë tërë kësaj kohe, prandaj dua të jem falënderues ndaj Federatës por edhe ndaj gjithë anëtarëve të stafit për bashkëpunimin që e kemi pasur gjatë tërë kësaj kohe, dhe kjo është një prej arsyeve pse ndjehem i pikëlluar sot, dhe pse kam bashkëpunuar për një periudhë kaq të gjatë me Federatën e Futbollit të Kosovës, megjithatë tani jemi në një moment tjetër dhe përkundër faktit që ka qenë kënaqësi e madhe kemi arritur në këtë pikë kur më duhet të them që jam i pikëlluar që po largohem e sidomos po largohem në këtë formë por në përgjithësi në jetën time si trajner në karrierën time si trajner kjo mbetet një prej periudhave të mija dhe prej përvojave të mija më të mira si trajner në përgjithësi”, tha Challandes.
Bernard Challandes u largua nga Kosova pas 40 ndeshjeve në krye si trajner, ku ka një bilanc prej 17 fitoreve, tetë barazimeve dhe 15 humbjeve. /TV Malisheva