Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës Bernard Challandes ka folur para mediave në prag të ndeshjes së nesërme kundër Greqisë e vlefshme për kualifikimet për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
Ai fillimisht e ka lavdëruar paraqitjen e skuadrës në ndeshjen me Gjeorgjinë si dhe duke kërkuar vëmendjen te ndeshja tjetër, ajo kundër Greqisë.
Challandes: I lumtur me paraqitjen ndaj Gjeorgjinë, por tani po mendojmë për Greqinë.
“Jam shumë i kënaqur me ndeshjen që kemi zhvilluar në Gjeorgji, jo vetëm për rezultatin por edhe për mënyrën se si ka rrjedhur ndeshja, për mënyrën se si ka punuar ekipi. Më duhet të them se kemi treguar që jemi të gatshëm, çoftë në aspektin teknik, çoftë në aspektin mental dhe e kemi përballuar mjaftë mirë një ndeshje shumë të vështirë siç ka qenë ajo nda Gjeorgjisë, prandaj mund të them urime për ekip9in, për paraqitjen që e kanë bërë për lojën që e kanë luajtur, mirëpo për tej kësaj fokusi është te ndeshja e radhës sepse jemi të vetëdijshëm që do të kemi një përballje shumë të vështirë ndaj ekipit të Greqisë”, tha Challandes.
Challandes më tej theksoi se në ndeshjen e fundit janë vërejtur ndryshimet e para në mentalitetin e ri të ekipit për të cilin kishte folur disa ditë para ballafaqimit me Gjeorgjinë.
Challandes: Ka filluar ndryshimi i mentalitetit në skuadër
“Për mua ka qenë një ndeshje ku ekipi ka treguar një mentalitet tjetër dhe nëse flasim për ndryshimet që i kemi pasur, nuk mund të flasim vetëm për ndryshimet që i kemi pasur në aspektin mental por po ashtu mund të flasim edhe për disa ndryshime të tjera që kanë të bëjnë me sjelljen e ekipit, kanë të bëjnë me mënyrën se si ekipi luan, me vendosjen taktike të ekipit, me lëvizjet e futbollistëve brenda fushës dhe ne i kemi kërkuar të gjitha këto ndryshime dhe besoj që ekipi ka reaguar mjaftë mirë ndaj kërkesave që i kemi pasur.”, tha Challandes.
Challandes po ashtu bëri të ditur se është në dyshim të madh paraqitja e Elbasan Rashanit në ndeshjen e nesërme për shkak se lojtari ka pësuar një lëndim të lehtë, ndërsa nuk garantoi një vend në formacionin startues për Milot Rashicën.
Challandes: Rashani është në dyshim, Rashica mund të mbetet në stol
“Edhe Elbasan Rashani edhe Lirim Kastrati por edhe Zymer Bytyqi kanë pasur paraqitje vërtetë të mirë në përballjen e fundit ndaj Gjeorgjisë dhe besoj që edhe për Milotin nuk është problem nëse ndonjëherë do të qëndrojë në bankë, mbase mund të jetë një rast i tillë. Mirëpo përtej kësaj duhet po ashtu të informojmë që Elbasan Rashani ka një problem të vogël me një lëndim dhe do të shohim situatën e tij deri në momentet e fundit pastaj për të marr vendimin definitiv nëse ai do të jetë i gatshëm të jetë pjesë e ekipit.”, tha Callandes në fund.
Ndeshja Kosovë – Greqi zhvillohet në “Fadil Vokrri” nesër me fillim nga ora 20:45. /TV Malisheva