Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka raportuar sot para Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës lidhur me projektligjet e ministrisë që ai drejton dhe gjendjen e institucioneve korrektuese gjatë pandemisë.

Atij i është kërkuar që Komisioni për Legjislacion të kyçet në procesi ne Vetingut qysh në fillim dhe i njëjti të udhëheq këtë proces.

Pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Shkëmb Manaj tha se procesi i Vetingut duhet të gjejë mbështetje nga të gjitha partitë.

Manaj: Është kërkesë e deputetëve që Komisioni për Legjislacion të udhëheq procesin e Vetingut

“Ishte kërkesë e Komisionit për Legjislacion që të kyçet që në fazat e hershme të këtij procesi dhe të shikohet mundësia që pastaj ky proces ndoshta të udhëhiqet nga Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës, është kjo praktikë e aplikuar edhe në vendet e tjera që Kuvendi ka marrë rolin udhëheqës të këtij procesi, sepse ju e dini fare mirë që në fund të fundit ky proces kërkon një konsensus të gjerë nacional, të paktën 80 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe është konstatim i yni që ky proces duhet të gjejë mbështetje të gjerë nga partitë në pozitë dhe opozitë sepse është proces që e tejkalon një qeveri, e tejkalon një mandat qeverisës, kështu që duhet të shikohet mundësia që në të ardhmen procesi i Vetingut të udhëhiqet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, “, tha ai.

Në këtë mbledhje, ministri raportojë për gjendjen në të cilën ndodhen institucionet korrektuese, lidhur me pandeminë Covid19.

Manaj: Ministria e Drejtësisë ka arritur të menaxhojë situatën në pandemi

“Ministri e dha një raportim të detajuar rreth gjendjes në Shërbimin Korrektues të Kosovës, dhe vlerësimi edhe i imi edhe gjithë anëtarëve të komisionit pa dallim të partisë politike ishte që Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës ka arritur që të menaxhojë mirë gjendjen e pandemisë në institucionet e shërbimit korrektues sepse nga 1443 të burgosur sa ka sot Shërbimi Korrektues i Kosovës, vetëm një rast kemi pasur të burgosur që ka rezultuar pozitiv me Covid19”, tha ai.

Ministri ka raportuar edhe lidhur me programin legjislativ, projektligjet që do t’i përcjellë Ministria e Drejtësisë në Kuvendin e Kosovës, ku aktualisht janë 20 projektligje të parapara për shqyrtim.

Ndërsa deri tani, Ministria e Drejtësisë i ka përcjellë vetëm katër projektligje./Tv Malisheva

Share.