Deputeti i PDK-së Kujtim Gashi e ka quajtur qesharake dhe joserioze ftesën e kryeministrit Avdullah Hoti përmes rrjeteve sociale për pjesëmarrje në takimin me liderët politikë nesër, për të bashkërenduar qëndrimet para takimit me palën serbe në Uashington.
Në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini, Gashi ka thënë se mos dërgimi ftesës në rrugë zyrtare për të pasur qëndrimet të përbashkëta ka bërë që PDK si parti të refuzojë pjesëmarrjen në takim.
“Kryeministri Hoti sikur ta kishte seriozisht për qëndrim të përbashkët politik, ai takimet do t’i organizonte përmes ftesave serioze. Besoj se Hoti e di që PDK ka lidershipin e saj me të cilat mund të koordinohej për çështjen e dialogut”, është shprehur ai.
Deputeti Gashi ka thënë se PDK-ja nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj procesit të dialogut, derisa sipas tij, është LDK-ja ajo e sidomos Avdullah Hoti që kanë ndryshuar qëndrimet për dialogun./ Tv Malisheva