Ndonëse nga dje janë lehtësuar masat për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe është lejuar transporti ndërurban me leje të veçanta, sot në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë nuk janë parë as autobusë e as udhëtarë.

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve po e sheh si të pamundur aplikimin e masave që janë kërkuar për operimin e autobusëve. Sipas tyre, më shumë humbje do të kenë nëse vazhdojnë të mbajnë linjat e rregullta me këto kufizime sesa të mos punojnë fare. Kjo shoqatë e sheh si të pakuptimtë që është lëshuar transporti ndërurban derisa qytetarët vazhdojnë të kenë të kufizuar lëvizjen.

Kryeshefi i Stacionit të Autobusëve, Luan Hoti, tha se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar operimi i linjave të udhëtimit, por që shtoi se sot nuk ka pasur fluks të udhëtarëve dhe as të autobusëve të linjave të rregullta.

E shkak për këtë ai tha se mund të jetë që qytetarët vazhdojnë të ketë lëvizjen e kufizuar.

Hoti: Nuk ka fluks të udhëtarëve aspak, por nuk ka edhe autobusë

“Ju mund ta shihni që sot ka një fluks apo nuk ka fluks të udhëtarëve aspak, po edhe nuk ka edhe autobusë të cilët qarkullojnë në linjat e rregullta të cilat i kanë…Ndoshta ka të bëjë me vendimin që bie ndesh me kufizimin e lëvizjes së njerëzve, sepse nëse e merrni një rast nëse një udhëtar dëshiron të udhëtojë nga Peja në Prishtinë, nëse e ka kufizimin derisa të vjen në Prishtinë kufizimi i mbaron. Prandaj, ai ose duhet të mbesë në autobusë ose duhet të jetë në Stacion të Autobusëve. Ka një jo koordinim mes të rregullave në fuqi me vendimin që është lëshuar. Mirëpo nuk është në kompetencën time ta gjykojë këtë, mirëpo si pasojë e kësaj shihet që Stacioni i Autobusëve nuk ka as autobusë e as udhëtarë”, tha ai.

Anëtari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Jakup Berisha, tha për KosovaPress, se nuk kanë mundësi të qarkullojnë, pasi që qytetarët vazhdojnë ta kenë kufizimin e lëvizjes në vetëm dy orë.

Sipas tij, bënë që të ketë mungesë të udhëtarëve dhe në këtë mënyrë, ai tha se më shumë humbje do të kenë nëse do të mbajnë linjat e rregullta.

Berisha: Një udhëtar prej Peje për të ardhur në Prishtinë i ka dy orë për të dal jashtë

“Udhëtarë nuk ka, për shkak se një udhëtar prej Peje për të ardhur në Prishtinë i ka dy orë për të dal jashtë dhe prej Peje deri të vjen në Prishtinë ai e shpenzon atë kohë që e ka pasur të lirë. Çka është tjetra edhe më e rëndë për ne si operator që ne nuk mund të nxjerrim vërtetime as për të punësuarit as për vet neve pronarëve të kompanive, sepse transporti ndërurban ka qenë e paraparë për fazën e tretë dhe në EDI program të platformës së ATK-së nuk ekzistojnë për asnjë kompani të transportit vërtetimet të cilat ne mund t’i tërheqim për punëtorët”, tha ai.

Si shoqatë, ai tha se po kërkojnë të subvencionohen nga shteti nëse duan të ketë transport ndërurban. Sipas tij, shteti duhet të paguaj për karriget që do të mbesin të pashfrytëzuara.

Berisha: Transportuesit më pak humbin duke ndenjur sesa nesër që dalin e të punojmë me këto kushte

“Për karriget të cilat na u kanë uzurpuar sipas rregullave të OBSH-së, do të thotë 50 përqind të karrigeve janë të uzurpuara nuk kemi të drejtë të ulim udhëtarët, për qatë pjesë duhet shteti të subvencionojë transportin nëse dëshirojmë të kemi transport në nivel vendi…Duhet edhe Qeveria e Kosovës të mendoj ta gjejë mënyrën ose për kilometër të kaluar të autobusëve ose për ulëse të karrigeve që e ka uzurpuar në bazë të rregullave të OBSH-së… Transportuesit më pak humbin duke ndenjur sesa nesër të dalin e të punojmë me këto kushte. Është shumë e rrezikshme kjo, nuk ka shancë me 22 deri 25 të mbulohen shpenzimet as pagat dhe naftën, vetëm paga e shoferit dhe nafta nuk mund të nxirret në këto kushte”, tha ai.

Lehtësimi i masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 ka filluar nga dje./Tv Malisheva

Share.