Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi është zotuar se do të mbështesë krijimtarinë letrare përmes formave dhe kanaleve institucionale.

Ajo ka thënë se ende ka punë për t’u bërë për të siguruar që puna e secilit autor të marrë vlerësimin dhe mbrojtjen që i duhet.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Autorit, ajo ka shkruar se Kosova mburret me trashëgiminë letrare që personalitetet e shumta i lanë ndër vite.

“Si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dua t’i siguroj të gjithë krijuesit, autorët e botuesit në Kosovë, që do të bëj përpjekjen e vazhdueshme përmes formave dhe kanaleve institucionale, për ruajtjen dhe mbështetjen e krijimtarisë letrare. Duke njohur mirë sfidat e komunitetit krijues e botues në Kosovë, kujtoj që një segment tjetër i rëndësishëm po aq i ndërlidhur me krijimtarinë letrare e publicistike është edhe e Drejta e Autorit. Konsideroj se me gjithë hapat që janë ndërmarrë nga MKRS kundër piraterisë e falsifikimit, akoma na presin hapa të tjerë përmes të cilëve sigurojmë që puna e secilit autor të marrë vlerësimin dhe mbrojtjen që i duhet”, ka thënë ndër të tjera Dumoshi.

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Autorit, shënohet me 23 mars, datë kjo e caktuar nga UNESCO për të nxitur leximin e për të bërë librin pronë të të gjithëve./Tv Malisheva

Share.