Qeveria e Kosovës nuk ka arsye për eufori sa i përket rritjes së Bruto Produktit Vendor mbi 16 përqind për tremujorin e dytë të këtij viti, pasi që krahasimi i aktivitetit ekonomik është bërë me vitin e kaluar kur ekonomia ishte e mbyllur në mënyrë totale.
Kështu kanë vlerësuar ekspertë të ekonomisë, të cilët nuk presin normë të rritjes ekonomike më të madhe se 5 përqind deri në fund të vitit.
Madje, edhe norma e rritjes së punësimit prej 20 mijë vetave në periudhën e fundit, nuk po shihet si shifër reale nga kryetari i komisionit parlamentare për ekonomi.
Drejtori programor në Institutin Riinvest, Visar Vokrri, thotë se kjo rritje e prezantuar nga Qeveria buron kryesisht nga lirimi i masave dhe rritja e eksporteve, derisa thekson se kjo normë prej 16.28 përqind nuk është shumë më e lartë se në vitin 2019.
Vokrri: Nëse krahasohet kjo rritje prej 16 përqind me vitin 2019, nuk ka diferencë të madhe
“Kjo shifër i referohet vetëm një kuartali, kur po flasim për tre mujorin e dytë të këtij viti dhe krahasimi është bërë me vitin paraprak. Kur e shohim një rritje kaq të lartë prej 16 përqind, kjo në masë të madhe kryesisht i atribuohet efektit bazë, pra kur kemi pasur një rënie në vitin paraprak baza ka qenë më e ulët dhe kësisoj tash çfarë do rritje e vogël që të jetë, ajo në përqindje mund të duket më e lartë. Mirëpo, nëse e krahasojmë me vitin 2019, nuk është se shohim një diferencë shumë të madhe. Ajo që duhet të theksohet, është se kjo rritje po vjen nga sektorët të cilët, ndoshta në pamundësi të funksionimit gjatë periudhës së pandemisë në vitin paraprak, këtë vit me lirimin e masave në një farë forme kanë shpërthyer”, thekson ai.
Hulumtuesi në Rriinvest, Vokrri nuk beson se do të ketë rritje ekonomike dyshifrore për tërë vitin.
Vokrri: Nuk besoj se do të ketë rritje dyshifrore
“Kjo shifër dy shifrore i referohet vetëm një tremujorëshi, është ende herët që për këtë vit. Rritja ekonomike do të jetë dy shifrore, unë nuk e besoj një gjë të tillë. Projeksionet e institucioneve financiare ndërkombëtare, kanë qenë që rritja do të jetë mbi 4 përqind deri në fund të vitit në supozimin që nuk do të ketë masa shtesë restruktive. Megjithëse sipas të gjitha gjasave të paketën mbyllje nuk do të kemi. Gjithsesi, rritja nuk besoj që mund të jetë dyshifrore, shpresoj që të jetë më e lartë se 5 përqind, ndoshta me dyfishimin e eksporteve kjo rritje edhe mund të jetë reale, por nuk e besoj që do të jetë dy shifrore”, thotë Vokrri.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka thënë, se indikatorët që kanë ndikuar në rritjen e Bruto Produktit Vendor për tremujorin e dytë, ardhja e bashkatdhetarëve dhe rritje e çmimeve në nivel botërorë.
Derisa ka prezantuar edhe statistikat e vendeve të rajonit, që sipas Gërxhaliut, Turqia ka arrit një rritje të BPV-së rreth 21.70 përqind, Maqedonia Veriore 19 përqind, Mali i Zi 19 përqind, Shqipëria 17.89, Kosova 16,28 përqind, Kroacia 16.10 dhe Serbia 13.40 përqind.
Gërxhaliu: Qeveria nuk ka arsye për eufori
“Ajo çka është shqetësueses, është fakti se nuk kemi arsye për eufori, janë dy indikatorët të cilët kanë ndikuar më së shumti në këtë rritje. E para është se ka qenë një vakancë ekonomike e vitit 2020 falë afarizmit, e dyta është një rritje e të punësuarit enorm falë turizmit dhe diasporës, jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin dhe e treta, që nuk duhet harruar se kemi një çrregullim të çmimeve në mbarë botën. Në qoftë se vjet kemi pasur një produkt, i cili ka kushtuar 300 euro, i njëjti sot kushton 1200 euro, që kanë ndikuar në rritje të të hyrave në Doganë dhe në Administratën Tatimore të Kosovës, por edhe në përformancën e sektorit bankar”, thotë ai.
Në anën tjetër, Gërxhaliu thotë se vendit i duhet një rritje ekonomike substanciale, për krijimin e vendeve të reja të punës dhe thithjen e investimeve të huaja.
Gërxhaliu: Kosovës i duhet një rritje substanciale që ndikon në rritjen e punësimit
“Ajo çka i duhet Kosovës, është një rritje substanciale e jo të jenë vetëm indikator, rritje të eksporteve, krijim të vendeve të reja të punës, si dhe investime të huaja, kurse me këtë gjendje dhe me këtë jostabilitet politik, investitorët po ikin nga Kosova. Sa më i ulët të jetë niveli i rritjes ekonomike, është një substancë që i duhet Kosovës dhe në këtë drejtim duhet të punohet”, thotë ai.
Kryetari i komisionit parlamentar për ekonomi, Ferat Shala ka thënë se Qeveria Kurti po i prezanton këto shifra të aktivitetit ekonomik për t’i mbuluar pjesën tjetër të dështimit në aspektin politik dhe të sigurisë.
Shala thotë se në bazë të të gjithë parametrave dhe analizave, kjo rritje e ekonomike nuk mund ta kalojë shifrën e 4.5 deri në 5 përqind për këtë vit.
Shala: Në cilët sektor u punësuan 20 mijë veta
“Nuk qëndron, është rritje e improvizuar, ata(qeveria) e dinë se ku i kanë marrë këta numra. E vërteta është që për me ardhur deri tek një konkludim i tillë ekonomik dhe real, ne duhet t’i kemi disa indikator. A mund ta thotë dikush se cilët janë indikatorët e kësaj rritje? Cilët ishin investitorët e rinj, cilët janë investitorët kapital të huaj që kanë ardhur? Po ashtu u tha se edhe numri i të punësuarve është rritë për 20 mijë vende të punës. Pra, në cilin sektor, kur, ku, a mund ta vërteton dikush këtë? Kurrë më keq s’ka qenë sektori i gastronomisë, i turizmit. Po ashtu kurrë më keq nuk ka qenë sektori i nderimit. Kemi rritje të inflacionit, veçanërisht në shportën e ekonomisë familjare, por kemi rritje të çmimeve enorme edhe në produktet e ndërtimit… Pra, edhe në pjesën e transportit, edhe në pjesët e tjera të ekonomisë, industria është para kolapsit. Nuk ka logjikë ekonomike, të matshme e as të krahasueshme me realen që na jep një rritje të tillë… Në bazë të të gjithë parametrave dhe të vërtetës reale, nuk mund të kalojë 4.5 deri në 5 përqind. Por, ai që i nxjerr këto shifra dhe menaxhon ato duke i programuar janë për ta mbuluar pjesën tjetër të dështimit të qeverisë, pjesën politike, dhe sigurisë “, thotë Shala.
Dje gjatë ditës në konferencën e mbajtur për media, ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me rritjen ekonomike në vend.
Ai ka thënë se sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, aktiviteti ekonomik ka shënuar rritje rekorde prej 16.28% në periudhën e tremujorit të dytë të vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Në anën tjetër, nëse krahasohet gjysma e parë e vitit 2021, me atë të vitit 2020, përkatësisht periudha janar-qershor, ekonomia vendore ka shënuar rritje prej 10.4%./TV Malisheva