Shqipëria po zgjeron krahas prodhimit edhe eksportin e vajit të ullirit “Made in Albania”.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi publikoi fakte të shifrave konkrete që tregojnë se, eksportet e vajit të ullirit u rritën ndjeshëm vitin e kaluar në 174 tonë, kundrejt vitit 2010 që ky tregues shënonte 15 tonë eksporte.
Sipas statistikave zyrtare në vitin 2019 prodhimi i ullirit shënoi sasinë e 98,313 tonëve dhe prodhimi i vajit të ullirit po në këtë vit arriti në 20,038 tonë.
Niveli më i lartë i prodhimit të ullirit regjistrohet në qarkun e Beratit me mbi 38 mijë tonë, pasuar nga qarqet Fier me rreth 33 mijë tonë dhe Vlorë me mbi 17 mijë tonë.
Prodhimi vendas i ullinjve, mbulon nevojat e konsumit në tregut vendas dhe një pjesë e konsiderueshme e këtij prodhimi kalon në përpunim për vaj ulliri.
Sipas INSTAT, ndaj prodhimit total të ullirit, 79% përfaqësohet nga ullinjtë për vaj dhe 21% nga ullinjtë për tavolinë.
Investimet në industrinë përpunuese të vajit të ullirit, kanë përmirësuar cilësinë e standardet e këtij produkti i cili tashmë është mjaft i kërkuar për eksport edhe në tregjet evropiane.
Kultura e ullinjve në Shqipëri është një traditë shekullore, vlera dhe rëndësia e këtij prodhimi vitet e fundit po mbështetet intensivisht edhe nga qeveria.
1 milion euro ishte fondi i disbursuar një vit e gjysmë më parë, si grante për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit”, që mbështet fermerët për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, për përmirësimin e mekanizimit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit. /ATSH/