Ministri në detyrë i Integrimit Evropian Blerim Reka priti sot në takim shefin e Misionit të EULEX-it Lars Gunnar Wigemark, me të cilin bisedoi për mbështetjen e këtij misioni të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.

Me këtë rast, ministri në detyrë Reka njoftoi shefin e EULEX-it Wigemark mbi të arriturat e qeverisë në 100 ditët e para të qeverisjes, ku pjesë thelbësore e programit qeverisës është sundimi i ligjit, andaj edhe shumica e 192 vendimeve qeveritare të ndërmarra janë në funksion të zbatimit të ligjit në vend.

Ministri Reka kërkoi nga Wigemark që EULEX-ti të vazhdojë të ndihmojë institucionet e Kosovës në sundimin e ligjit, si dhe për gjetjen dhe identifikimin e personave të pagjetur gjatë luftës në Kosovë.

Ndërsa Wigemark tha se EULEX-i vazhdon të mbetet partner përkrahës i institucioneve të Kosovës në sundimin e rendit dhe ligjit në vend, të cilat janë edhe parimet thelbësore mbi të cilat është krijuar dhe funksionon Bashkimi Evropian.

Po ashtu, Wigemark informoi ministrin Reka rreth punës që EULEX bën në Kosovë për identifikimin e personave të pagjetur./ Tv Malisheva

Share.