Të mërkurën do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për votimin e qeverisë së re, në krye me Avdullah Hotin e LDK-së. Kështu vendosi sot kryesia e Kuvendit të Kosovës, pas kërkesës së 61 deputetëve. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë u shpreh i bindur se nesër do të votohet qeveria e re, pasi siç tha i kanë votat e mjaftueshme për një gjë të tillë.
Duke treguar që i kanë numrat për votimin e qeverisë, Gashi para gazetarëve tha se deputetët nuk duhet të konsiderohet si vota, pasi është në dorën e tyre si do të veprojnë në seancën e nesërme.
Gashi: Jemi të bindur se i kemi votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë
“Ne jemi të bindur se i kemi votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë…ne jemi të bindur që nuk do të dështojë dhe jemi të bindur se nesër do të kemi qeveri”,
Për mundësinë e pazareve politike në shkëmbim të votës për qeverinë Hoti dhe hezitimin e deputetit Haxhi Shala për të votuar qeverinë Hoti, Gashi tha se ato janë çështje të brendshme të partnerëve të koalicionit qeverisës.
Gashi: Është e padinjitetshme që deputetët të konsiderohen si vota
“Është e padinjitetshme që deputetët të konsiderohen si vota. Deputetët janë personalitet në veti dhe duhet të respektohen si të tillë. Nesër secili deputetë e ka mundësinë të jap vlerësimin e vet përmes diskutimit dhe në fund përmes votimit. Trajtimi i deputetit si votë po më duket e padinjitetshme”, tha ai.
I pyetur për mundësinë qe LDK-ja të votojë sërish për president, Hashim Thaçin, Gashi tha se një gjë e tillë nuk do të ndodh, derisa tha se partia e tyre do të jetë faktor në procesin e emërimit të presidentit, pas shtatë muajve.
Gashi: LDK-ja do të jetë faktor në procesin e emërimit të presidentit
“Normalisht është parti serioze, është partia më e madhe e koalicionit dhe normalisht do të jetë faktori kryesor në këtë proces”, tha ai.
Krahas kësaj, shefi i grupit parlamentar të LDK-së tha se gjitha marrëveshjet politike me partnerët e koalicionit qeverisës kanë përfunduar, sipas tij ditëve në vijim do të bëhen publike./ Tv Malisheva