Pas marrjes së aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetues, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deponuar kërkesën me nënshkrime të deputetëve për thirrjen e seancës për të mërkurën në orën 11:00.

Këtë e ka konfirmuar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi, i cili tha se kanë siguruar votat për miratimin e qeverisë së re.

Derisa nuk ka publikuar emrat e kandidatëve për ministra nga LDK, Gashi tha se nesër Kryesia e LDK-së do të vendosë për këtë.

Gashi: Kemi votat e mjaftueshme për votimin e qeverisë së re

“Ne si parti, në mentalitetin tonë është që paraprakisht, para se të merren vendimet të njoftohen partnerët e koalicionit jo nëpërmjet video mesazheve. Pra, janë njoftuar të gjitha partitë, partnere të koalicionit për seancën e cila do të mbahet ditën e mërkurën në orën 11: 00 dhe përderisa kemi ftuar seancën për ditën e mërkurë normalisht qe kemi të garantuar edhe formimin e qeverisë. Pra, kërkesa e dorëzuar para se të merret masa e përkohshme është dorëzuar me 61 deputet nënshkrues dhe presim që diku të jenë rreth 64-65 deputet që votojnë dhe përkrahin formimin e kësaj qeverie”, tha Gashi.

Shefi i GP të LDK-së ka theksuar në koalicionin me AAK-në dhe NISMA-në nuk kanë trajtuar edhe për pozitën e presidentit, teksa shtoi se për marrëveshjen e me Listën Serbe, këtë do ta bënë publike kryeministri i ardhshëm Avdullah Hoti.

Gashi: Në këtë koalicion nuk kemi trajtuar çështjen e presidentit

“Sa i përket marrëveshjes me Listën Serbe, këtë do ta publikoj kryeministri I ardhshëm dhe kur do ta publikoj është në diskrecionin e tij, sepse asnjë nga marrëveshjet deritanishme nuk janë publikuar nga LDK-ja. Sa i përket kandidatit për president nuk jemi në atë pikë, meqenëse me Lëvizjen Vetëvendosje kemi pasur një qasje të ndërtimit të koalicionit gjithëpërfshirës me një skenar. Nuk kemi mundur me anashkaluar çështjen e presidentit, tashmë nuk kemi një skenar të tillë qeverisës dhe çështja e presidentit nuk është trajtuar në këtë koalicion. A mund të ketë edhe një mandat pesë vjeçar presidenti Thaçi? Nuk besoj që do të ketë”, tha Gashi.

Sa i përket koalicionit me AKR-në, ai deklaroi se nuk e di a do të jetë edhe ky subjekt pjesë e qeverisë, por edhe nuk e ka mohuar një gjë të tillë.

Gashi: AKR-ja nuk e di a do të jetë pjesë e qeverisë së re

“Nuk e di, ka mundësi. Nuk kam marrë unë me këtë çështje të koalicionit me AKR-në. Ndoshta do të jetë, ndoshta jo”, tha Gashi.

Ndërsa, për mbajtjen e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit për të caktuar mbajtjen e seancës për formimin e qeverisë së re, ai tha se kjo çështje mbetet në diskrecionin e kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, se kur do ta ftojë mbledhjen e kryesisë për caktimin e seancës.

Për programin qeverisës, Gashi tha se është i gatshëm, një ekstrakt i është shpërndarë deputetëve të koalicionit, ndërsa programi në një prej mbledhjeve të para të qeverisë do të aprovohet dhe do t’i dorëzohet Kuvendit./ Tv Malisheva

Share.