Nëse masat për bizneset nuk zbuten ashtu siç po bëjnë vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian, ekonomia dhe sektori privat në Kosovë do të pësojnë tej parashikimeve.
Paralajmërimet se nuk do të ketë masa lehtësuese për gjithë zinxhirin e sektorit të ekonomisë në muajin maj në vendin tonë, sektori privat do të ngufatet.
Kështu thotë ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili shprehët se nuk ka alternativë tjetër përveç zbutjes së masave për bizneset.
Gërxhaliu për KosovaPress thotë se nëse nuk ka hapje të ekonomisë, ashtu siç po bëjnë vendet e rajonit, rikuperimi ekonomik do të jetë i vështirë.
Ministra e Shëndetësisë ka paralajmëruar se deri më 30 prill do të bëhen publike masat e reja për lëvizjen e qytetarëve dhe hapjen e disa bizneseve për parandalimin e koronavirusit, derisa masat aktuale janë fuqi deri më 4 maj.
Gërxhaliu: Duhet të zbuten masat për bizneset për të shpëtuar ekonomia
“Nuk ka alternativë tjetër përveç zbutjes së këtyre masave dhe orientimit pro-biznes. Duhet të mësojmë nga përvojat e vendeve të rajonit, sikur në Gjermani, Austri, vendet e rajonit. Më 15 qershor do të hapet Mali i Zi(turizmi), pretendohet që të hapet Shqipëria, si dhe Serbia. Ndërsa, në qoftë se Kosova do të mbetet jashtë këtij momentumi ekonomik, vërtet do të jetë një ngufatje që do të dëmtoj edhe më tepër pozicionin e sektorit privat. Prandaj, në këtë drejtim jemi për mbrojtjen e qytetarëve dhe shëndetit publik, mirëpo e tëra kjo duhet të jetë në linjë të barabartë edhe me proceset dhe zhvillimit ekonomik. Sepse nuk mund të ketë shërim pa ekonomi dhe në këtë drejtim besoj që është koha ku për ekonomi duhet të bëhet më tepër se sa të flitet e në veçanti për sektorin privat, i cili është shtyllë e stabilitetit ekonomik, politik dhe për përmirësimin e imazhit të Kosovës”, thotë Gërxhaliu.
Ish kryetari i OEK ka folur edhe për parashikimet e Bankës Botërore, që ekonomia e Kosovës pritet të pësoi rënie prej 4.5 për qind. Kjo rënie ekonomike, sipas ekspertit të ekonomisë është një sinjal që vërtet Qeveria duhet ta trajtoj ekonominë me seriozitet të lartë dhe profesional.
Ai thotë se rënia ekonomike minus 4.5 përqind është shqetësuese dhe Kosova duhet të bën hapa më vendimtar për rimëkëmbje dhe mbështetje të sektorit privat.
Gërxhaliu: As Kosova nuk mund të jetë imune në rënien e ekonomike
“Uljet e rritjes ekonomike nuk janë dukuri vetëm e Kosovës, por edhe në nivel global dhe në veçanti janë të goditura ekonomitë më të fuqishme botërore. Në qoftë se në Kinë parashihet të ketë një trend negativ, ajo do të reflektohet drejtpërdrejt në SHBA , edhe në Evropë, por nuk mund të jetë edhe Kosova imune në këtë drejtim. Këto parashikime janë të pritura dhe besoj, mirëpo ajo çka neve na shqetëson është se në Kosovë duhet të bëhen hapa më konkret për rimëkëmbje dhe mbështetje të sektorit privat dhe të minimizohen pasojat ekonomike ose politike të koronavirusit… Prandaj, një rënie e tillë, duhet të jetë një motivim shtesë që për ekonomi të bëhet më tepër… Kosova nuk duhet të humbas kohë vetëm në sanimin e pasojave nga kjo krizë, por të gjej rrugë për ndërtim dhe zhvillim të ekonomisë pas pandemisë”, thotë ai.
Ndryshe, këto ditë është raportuar se nga fillimi muajt tjetër, pritet që të nisë hapja e disa veprimtarive në Kosovë. Pritet që Ministria e Shëndetësisë, të përcaktoj datat kur gradualisht nisë puna për disa lloje të bizneseve. Kthimin në normalitet MSH-ja, e ka ndarë në pesë faza, por ende nuk është vendosur se kur do të hapen kufijtë dhe aeroporti.
Për lëvizjes e qytetarëve dhe hapjen e disa bizneseve, në javën e parë të majit, parashihet t’i hapet rrugë sektorit të ndërtimtarisë, e pjesërisht do të hapet edhe tregtia e automjeteve e tregtia me pakicë.
Ndërsa nga 18 maj qytetarët do të mund të lëvizin për më shumë se dy orë, kur pritet të hapet edhe transporti hekurudhor, por të gjitha këto duke respektuar rregullat përfshirë këtu distancën sociale e masat mbrojtëse si dorëza e maska.
Hapja e transportit ndër urban pritet të ndodhë në fillim të qershorit kur gjithashtu do të mund të zhvilloheshin edhe provimet në universitete. Ndërsa, nga gjysma e qershorit do të mund ët zhvillohet edhe testi i maturës dhe ai i arritshmërisë. Derisa gastronomia dhe trafiku urban është paraparë të hapet tek në fillim të korrikut./ Tv Malisheva