Kryeministri Avdullah Hoti dhe i dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, amerikani Richard Grenell kanë nënshkruar sot marrëveshje që del nga ajo e 4 shtatorit e firmosur në Shtëpinë e Bardhë.

Grenell erdhi në Prishtinë bashkë zyrtarë amerikanë, në mesin e tyre edhe kryeshefi ekzekutiv i Korporatës ndërkombëtarë të financave të zhvillimit në SHBA.

E Grenell tha se kanë ardhur në Prishtinë për zbatimin e marrëveshjeve për normalizim ekonomik, të nënshkruara në Uashington.

Takimi i Qeverisë së Kosovës me financuesit e marrëveshjes që u arrit në Shtëpinë e Bardhë që kryesoheshin nga Grenell, u zhvillua me dyer të mbyllura.

Pas takimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve, Richard Grenell tha se kanë ardhur të tregojnë seriozitetin e tyre sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të arritura.

Grenell: Jemi këtu për të treguar angazhimin tonë për marrëveshjen për normalizim ekonomik

“Jam së bashku me shumë kolegë nga ShBA-të, së bashku me mikun tim Adam Boehler, i cili do të flas për paratë, ky është ai personi i parave dhe ka sjellë me vete një çek shumë të madh, jo pikërisht ende, por ne po shkojmë në atë drejtim… Jemi këtu për të treguar zotimin dhe angazhimin tonë për marrëveshjen për normalizimin ekonomik, e dimë që qytetarët e Kosovës kanë pasur shumë premtime që u janë bërë në të kaluarën dhe atë çfarë ne po përpiqemi ta bëjmë përmes kësaj marrëveshje dhe përmes të gjithë personelit të SHBA-së që janë me ne sot, të bëjmë një zotim para jush se zbatimi i marrëveshjes është ai për çka kemi ardhur dhe dëshirojmë ta zbatojmë, nuk dëshirojmë fjalë dhe deklarata boshe”, tha Grenell.

Ndërsa, kryeministri Avdullah Hoti tha se marrëveshja për normalizim ekonomik është hap i madh drejt marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.

Hoti: Marrëveshja e 4 shtatorit, hap i madh drejt marrëveshjes finale

“Prezenca e tyre tregon vendosmërinë dhe seriozitetin e presidentit Trump, administratës së tij, ambasadorit dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij për zbatimin e një marrëveshje që po cilësohet me plot të drejtë marrëveshje historike, hap tepër i madh drejtë finalizimit të marrëveshjes finale në mes të dy vendeve. Tanimë është krijuar një momentum i ri ekonomik në Kosovë dhe regjion, dhe bashkë me ketë momentum të ri ekonomik, besoj që do të lëvizim përpara edhe në pjesën e normalizimit të marrëdhënieve politike. Kjo marrëveshje që kemi arritur do të krijojë mijëra vende të reja pune, do të shndërrojë Kosovën dhe regjionin në regjion më të integruar në aspektin e infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik”, tha ai.

E kryeshefi ekzekutiv i Korporatës ndërkombëtare të financave të zhvillimit në SHBA, Adam Boehler ishte ai që tregoi për investimet që i kanë në plan t’i bëjnë në Kosovë.

Boehler: Do të investojmë në Kosovë, do të ju tregojmë sa serioz jemi

“Marrëveshja që e kemi nënshkruar sot është një zotim për të përshpejtuar investimin në Kosovë, ne kemi punuar me ambasadën, dhe ne kemi 1000 projekte 1 miliard dollarësh që përfshinë rrugët, hekurudhat, energjinë, kemi parë dhe diskutuar, kështu që do t’u jap një kuptim projekteve për të cilat po flasim. Gjithashtu, mbështetja e drejtpërdrejtë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ka qenë një temë shumë e madhe sot dhe marrëveshjet që i bëjmë”, tha ai.

Ndërsa Richard Grenell kur u pyet për kritikat e Lëvizjes Vetëvendosje rreth marrëveshjes së 4 shtatorit, tha se të tillave nuk duhet jepet rëndësi, meqë sipas tij, e rëndësishme është që ka marrëveshje dhe po fillon zbatimi i tyre.

Grenell: Marrëveshja ekziston dhe po fillon zbatimi

“Nuk do t’i kisha dhënë shumë konsideratë, fakti është që marrëveshja ekziston, zbatimi po fillon, kjo është një ditë shumë e mirë, unë e kuptoj që njerëzit politikë dëshirojnë që të jenë politikë dhe të jenë kritikë, në rregull, ne jemi super krenarë për këtë marrëveshje dhe do të shihni me kalimin e disa muajve dhe viteve që nuk janë këto deklarata boshe”, tha ai.

Share.