Vetëm 45 për qind e punëtorëve gjatë vitit 2019 kanë pasur kontratë të përhershme pune. Mbi 72 për qind kanë punuar gjashtë ditë në javë, ndërsa çdo i katërti i ri në Kosovë ka punuar edhe pa kontratë.

Këtë e bëri të ditur në Ditën Ndërkombëtare të punëtorëve, ministrja në detyrë e MEPTINIS, Rozeta Hajdari, e cila tha se këtë gjendje të rëndë të punëtorëve e kanë trashëguar nga e kaluara.

Derisa shtoi se që nga paslufta, tani janë duke u përballur me gjendjen më të rëndë ekonomike.

Hajdari: Nuk na shpëton kapitali i milionerëve, por puna e punëtorëve

“Nuk na shpëton kapitali i milionerëve, dhe mund të them se puna e punëtoreve krijon kapitalin kolektiv, ndonëse ai përvetësohet individualisht. Si ministri përmes ndryshimit të Ligjit të Punës, plani për rritjen e inspektorëve të punës, dizajnimit të politikave për punësim dhe implementimin e tyre përmes Agjencisë së Punësimit dhe Inspektoratit të Punës, që bën monitorimin e zbatimit të legjislacionit nga fusha e marrëdhënies së punës dhe sigurisë së shëndetit në punë, ne do të sigurohemi që të rriten të drejtat e punëtorëve dhe përmirësohen kushtet e punës për ata që janë të punësuar dhe të krijohen vendet e punës për ata që nuk janë të punësuar”, tha Hajdari.

Ajo u zotua se qeveria Kurti përmes pakos fiskale ka bërë ndërhyrje për të minimizuar dëmin që mund të ketë për punëtorët.

Ministrja në detyrë Hajdari tha se kanë marrë masa në mënyrë që të krijojnë kushte për të përmbushur nevojat e punëtorëve të cilët nuk mund të paguhen nga ndërmarrësit.

Për pakon e rimëkëmbjes ajo tha se janë duke biseduar me bizneset, odat përkatëse dhe sindikatën e sektorit privat.

Hajdari: Kemi planifikuar rritjen e konsiderueshme të inspektorëve

” Në këtë përpjekje për dizajnimin e një pakoje sa më relevante për rimëkëmbje ekonomike, ne jemi në dialog gjithëpërfshirës në të gjitha bizneset. Po ashtu përmes dialogut me odat, dhe shoqatat industriale dhe në këtë rast dua të cek që jemi në dialog edhe me përfaqësuesin e sindikatës së punëtorëve…(08:03) Jemi në proces të draftimeve të ndryshimeve që bëhen me Ligjin e Punës, me qëllim që të rriten të drejtat e punëtorëve dhe të përmirësohen kushtet e punës. Kemi planifikuar rritjen e konsiderueshme të numrit të inspektorëve të punës në mënyrë që të sigurojmë respektimin e të gjitha të drejtave që dalin nga Ligji i Punës”, ka shtuar ajo.

Se Kosova ka shkallën e papunësisë më të lartë, e ka theksuar edhe zëvendësministri Edison Jakurti. Sipas tij, as me punësim nuk zgjidhen problemet e tyre, meqë të njëjtit nuk kanë as sigurim shëndetësor e as kontrata.

Jakurti: 72 për qind e punëtorëve punuan edhe të shtuneve

“Kujtojmë se në vitin 2019 shkalla e punësimit në Kosovë ishte rreth 30 për qind. Mbi 84 për qind e punëtorëve punojnë 40 orë në javë apo më shumë. Vetëm 45 për qind kishin një kontratë të përhershme pune. Çdo i katërti i ri punon pa kontratë, rreth 19 për qind e punëtorëve punojnë në vendet e punës të pa qëndrueshme, pra si të vet punësuar apo me biznese familjare. Mbi 75 për qind e atyre që punuan me orar të pjesshëm nuk kishin mundësi të gjejnë punë me orar të plotë. Mbi 72 për qind punuan edhe të shtunave, mbi 37 për qind punuan edhe të dielave. Kjo duhet dhe do të ndryshojë”, ka theksuar zëvendësministri Jakurti.

Shtimi i numrit të inspektorëve ka qenë një nga premtimet e qeverisë Kurti e cila është në detyrë. Në programin e tyre qeverisës thuhej se numri i tyre do të jetë 400. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Për këtë ministrja Rozeta Hajdari tha se kanë trashëguar buxhet me shumë borxhe.

Hajdari ndër të tjera ka theksuar se sektori i ndërtimtarisë e cila planifikohen të vazhdojë me punën nga 4 maji, do të jenë të organizuar që të respektojnë masat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. / Tv Malisheva

Share.