Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i kanë uruar shërim të shpejtë kryeministrin Avdullah Hoti, i cili rezultoi pozitiv me Covid-19.
Haradinaj përmes një statusi në Facebook, ka uruar Hotin dhe të gjithë qytetarët e prekur nga Covid-19, teksa ka kërkuar që të respektohen rekomandimet e institucioneve shëndetësore.
“Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit dhe gjithë qytetarëve të prekur nga Covid-19, ju uroj shërim të shpejtë dhe rikthim në angazhimet e tyre të përditshme. Bashkëndjej me të gjithë ata që humbën të afërmit e tyre, duke bërë thirrje tek të gjithë qytetarët që në funksion të ruajtjes së jetës njerëzore, t’i respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore. Paralelisht, Qeveria e Republikës duhet ndërmarrë veprime konkrete për rimëkëmbjen ekonomike. Mirëqenia e qytetarëve asnjëherë nuk duhet vënë në rrezik. Andaj, të veprojmë të bashkuar që ta kalojmë me sukses edhe këtë krizë që ka kapluar të gjitha shtetet e botës. RH”, ka shkruar Haradinaj.
Edhe Fatmir Limaj përmes një statusi në Facebook, ka uruar Hotin që ta kalojë më lehtësi këtë sfidë, teksa ka kërkuar nga qytetarët të respektojnë rekomandimet shëndetësore.
“I uroj shërim të shpejtë kryeministrit të Kosovës, z. Avdullah Hoti pas infektimit me COVID-19. Uroj që ai dhe të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët janë prekur nga ky virus ta kalojnë sa më lehtë këtë sfidë. Iu bëj thirrje edhe një herë qytetarëve të Kosovës që të respektojnë në përpikëri rekomandimet e institucioneve shëndetësore, të përdorin masat mbrojtëse nga ky virus, sepse vetëm kjo është rruga më e mirë për t’u mbrojtur nga COVID-19”, ka shkruar Limaj./Tv Malisheva