Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj propozimit për aktakuzë kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli nga Gjykata Speciale për kinse krime lufte gjatë luftës në Kosovë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Millosheviqit.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër, rezultat i së cilës ishte liria dhe themelimi i Republikës së Kosovës. Ne besojmë në pafajësinë e presidentit Thaçi, kryetarit Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tjerë”, ka shkruar Haradinaj.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes një komunikate për media njoftoi se iu ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura./Tv Malisheva

Share.