Nga Serbia, ku po qëndron për vizitë në Luginën e Preshevës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj, i ka kërkuar Serbisë që të kërkojë falje për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Haradinaj, që bashkë me ministrin e Drejtësisë Selim Selimi po qëndrojnë në Luginë, i ka kërkuar lirimin edhe të qytetarit Nezir Mehmetaj.

Haradinaj: Serbia të kërkojë fale për krimet në Kosovë

“Meqenëse jemi edhe në fazën finale të rifillimit të dialogut unë do të kisha edhe një lutje për Serbinë, që të bëjë një hap të parë të mirë, do të thotë në krijimin e mirëbesimit dhe konfidencës për fillimin e dialogut dhe të kërkojë falje për të gjitha krimet që i ka bërë në Kosovë. Po ashtu edhe të lirojë qytetarin tanë Nezir Mehmetaj i cili mbahet padrejtësisht që 6 muaj pa asnjë arsye në burgun këtu të Serbisë dhe po ashtu duke thyer të gjitha normat dhe ligjin ndërkombëtar. Andaj nëse Serbia e bënë në hap të tillë do të ishte i mirëseardhur dhe në shërbim të konfidencës së krijuar për rifillimin e dialogut”, tha ajo.

Ministrja Haradinaj ka thënë se do të shfrytëzojë çdo takim në arenën ndërkombëtare për të paraqitur gjendjen e shqiptarëve të Luginës.

Ajo ka kritikuar shtetin serb edhe sa i përket menaxhimit me pandeminë.

Haradinaj: Do të ndihmojmë shqiptarët e Luginës për të përballuar pandeminë

“Kemi parë që nuk ka një kujdes ashtu siç duhet, andaj edhe jemi zotuar që javët e ardhshme të ndërmarrim hapa në mënyrë që të ndihmojmë shqiptarët e kësaj ane qoftë me teste, qoftë me materiale mbrojtëse për të luftuar dhe menaxhuar pandeminë”, tha ajo.

Ajo bëri të ditur se do të pranojë në ministri 5 studentë që do të vijojnë praktikën, e projekt i cili tha se do të vazhdojë edhe më pas.

Në anën tjetër ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se Serbia po përdor një metodë të moderuar të spastrimit etnik të shqiptarëve me fshirjen nga listat.

Selimi: Serbia me fushatë të orkestruar po bën spastrim etnik

“Një kampanjë mirë të orkestruar të Republikës së Serbisë për t’i fshirë qytetarët e këtij vendi, të kësaj toke një nga një në mënyrë të organizuar. Indikatori kryesor i cili tregon atë tendencë të tyre prej një spastrimi etnik është që t’iu bëhet vetëm në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, e nuk bëhet në qytete të tjera. Pra, në vendin ku jetojnë më së shumti shqiptarët është një kampanjë e orkestruar e cila është një spastrim etnik modern me fshirje nga lista”, tha ai.

I pyetur se a duhet Kosova të rrisë nivelin e angazhimit për përkujdesje ndaj Luginës së Preshevës, ai tha se në Qeverinë Haradinaj kanë filluar disa projekte dhe do të vazhdohet edhe më të tjera./ Tv Malisheva

Share.