Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka komentuar propozim-aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Në emisionin DebatPlus të TV Dukagjini, Haradinaj ka thënë se fokusi nuk duhet të jetë te fakti që Thaçi nuk do të jep dorëheqje deri në verifikimin e aktakuzës, por te menaxhimi i situatës që Kosova ta ruajë interesin nacional.

“Çështja e dorëheqjes nuk e ka rëndësinë e parë. Kosova duhet të fokusohet te menaxhimi që duhet bërë me këtë situatë. Ka një propozim-aktakuzë për Thaçin e Veselin. Duhet shikuar se si të veprojë Kosova që ta ruajë interesin nacional në këtë rast. Kjo goditje që ka ndodhur përmes aktakuzave, të mos i shkaktojë Kosovës pasoja të pariparueshme”, ka thënë Haradinaj.

Ai tha se ai dhe partia e tij nuk e kanë përkrahur Gjykatën Speciale, përkundër se nuk e kanë mohuar zbatimin e drejtësisë për të gjitha viktimat e luftës.

“Unë nuk e kam përkrahur këtë gjykatë. Kjo gjykatë do të duhej të ngrihej në Kosovë, në të njëjtën kohë do të aftësohej edhe sistemi gjyqësor me prokurorë e gjykatës të huaj”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se AAK ka qenë që gjykata të vendosej në Kosovës, ndonëse dëshmitarët mund të mbroheshin edhe jashtë vendi.

“Ne nuk e kemi kundërshtuar vendosjen e drejtësisë për të gjitha viktimat. Ne kemi kërkuar që gjykata të vendoset në Kosovë ndërsa dëshmitarët të mbrohen edhe jashtë vendit. Por jo gjykata, dëshmitarët kanë mundur të merren në pyetje apo të mbahen jashtë Kosovës”, tha Haradinaj./ Tv Malisheva

Share.