Ish-ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka akuzuar Qeverinë Hoti për heqje dorë nga mbështetja për institucionet e drejtësisë që hetojnë dhe gjykojnë krimet e luftës, duke thënë se një gjë e tillë paraqet gjunjëzim e kësaj qeverie para Serbisë dhe si e tillë duhet të largohet sa më parë dhe vendi të shkojë në zgjedhje.
Në një postim në Facebook, Haxhiu shkruan se Qeveria Hoti në ditët e para të saj, ka treguar gjunjëzimin para Serbisë, duke filluar nga heqja e reciprocitetit e deri te heqja dorë për njohje nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe mos anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.
“Por tani paska hequr dorë edhe nga mbështetja për institucionet e drejtësisë që hetojnë dhe gjykojnë krimet e luftës. Kjo është e papranueshme. Qeveria e paligjshme duhet të largohet sa më parë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë:
Pak ditë pasi kisha pranuar detyrën e Ministres së Drejtësisë, kam pritur në takim prokurorët special që merren me hetimin e krimeve të luftës.
Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi me kërkesat e prokurorisë speciale në raport me krimet e luftës dhe kam dhënë zotimin tim që do të adresoj secilën kërkesë vetëm e vetëm që krimet e luftës të trajtohen seriozisht dhe prokuroria të ketë mbështetjen e duhur për këto raste.
Kërkesë urgjente e kisha konsideruar ndryshimin e një neni tek Kodi i procedurës penale që i shërbente prokurorisë për adresimin sidomos të rasteve të krimeve të luftës që ishin transferuar nga EULEX.
Menjëherë në mars, të njëjtin ndryshim e kam proceduar në Kuvend por për shkak të kundërshtimit të nismave të qeverisë tonë nga PDK, LDK dhe të tjera, i njëjti projektligj pavarësisht rëndësisë, nuk kishte arritur të procedohej në seancë për votim.
Qeveria jo legjitime, në ditët e para të saj, ka treguar gjunjëzimin para Serbisë, duke filluar nga heqja e reciprocitetit e deri te heqja dorë për njohje nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe mos anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, por tani paska hequr dorë edhe nga mbështetja për institucionet e drejtësisë që hetojnë dhe gjykojnë krimet e luftës.
Tërheqja e Qeverisë nga ky ndryshim tregon gjunjëzimin e saj para Serbisë dhe është tendencë për amnisti të krimeve të luftës.
Kjo është e papranueshme.
Qeveria e paligjshme duhet të largohet sa më parë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme./ Tv Malisheva