Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se për zgjedhjet e Serbisë janë kërkuar 140 pika grumbulluese në Kosovë por nuk u është dhënë leja. Lidhur me këto zgjedhje të cilat u organizuan të dielën edhe në Kosovë, Hoti tha se një kërkesë të tillë e ka gjetur në Zyrën e Kryeministrit, dhe se e njëjta nuk ka qenë e refuzuar as miratuar nga qeveria paraprake.
Hoti tha se ka lejuar vetëm ato organizime që janë mbajtur prej vitit 2012 në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë.
Hoti: Kërkesa për zgjedhjet e Serbisë nuk është refuzuar nga qeveria paraprake
“Ata kanë kërkuar të kenë kësaj radhe 140 pika grumbulluese, nuk janë lejuar, unë kam lejuar të njëjtat aranzhime që i kanë pasur institucionet e Kosovës nga viti 2012 e këndej, nën menaxhimin e OSBE. Kjo kërkesë, sepse OSBE nuk i merr përsipër organizimin e këtyre pikave grumbulluese pa një miratim të institucioneve të Kosovës, kërkesa ka qenë në qeverinë paraprake nja dy tre javë dhe ka pritur aty në zyrë, as nuk është miratuar as refuzuar, kjo është e vërteta”, tha ai.
Ndërsa për zgjedhjet në Luginën e Preshevës Hoti tha se është mirë që shqiptarët kanë garuar me një listë të përbashkët, ku shtoi se i ka takuar përfaqësuesit e Luginës, por që këtë nuk e ka bërë publike.
Ai tha se bashkë me Shqipërinë, do të mbështesin shqiptarët në Luginë, në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe qeverisje lokale.
Hoti: Me Shqipërinë do të ndihmojmë shqiptarët në Luginën e Preshevës
“Unë i kam takuar përfaqësuesit e tyre në zyrën time, por unë nuk bëj as postime në facebook as nuk i nxjerri para kamerave. Atë që u kam thënë është se e kanë mbështetjen e plotë dhe tanimë jemi angazhuar përmes zëvendëskryeministres që të organizojmë mbledhjen e përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë për një pako mbështetëse, gjithpërfshirëse edhe në arsim, edhe shëndetësi, edhe qeverisje lokale edhe ekonomi, që do të jetë pjesë e marrëveshjes në mes të dy qeverive për të ndihmuar shqiptarët në Luginën e Preshevës”, tha Hoti. /Tv Malisheva