Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti sot gjatë një vizite që i bëri bizneseve në Parkun e Bizneseve në Drenas tha se ekonomia dhe biznesi në Kosovës aktualisht është duke lulëzuar me rritjen e prodhimit dhe qarkullimit në janar të këtij viti, krahasuar me janarin e vitit 2020.

Kryeministri në detyrë Hoti duke iu referuar të dhënave nga Dogana e Kosovës për një rritje të të hyrave, tha se ajo që nevojitet është që t’ju ndihmohet bizneseve, përveç me politika fiskale, edhe me krijimin e fuqisë punëtore të nevojshme.

Hoti: Biznesi është duke lulëzuar

“Ka mbetur gati pak për të bërë, përveç ndoshta rritjes së efikasitetit të punës së institucioneve, në mënyrë që të eliminohen burokracitë e nevojshme edhe për certifikimet dhe për kryerjen e procedurave për leje import-eksport dhe çështje të tjera. Biznesi është duke lulëzuar, tash pas pandemisë e themi me kënaqësi që janari i këtij viti ka qenë më i mirë se janari i vitit 2020 dhe ne gradualisht po dalim prej kësaj gjendje pak më kritike të kohës së pandemisë dhe t’i kthehemi normalitetit të funksionimit të përditshëm të bizneseve”, tha Hoti.

Ndërsa, Dogana e Kosovës gjatë ditës ka njoftuar se ka rritur performancën e të të hyrave duke tejkaluar shumën e të hyrave në janar të vitit 2020 prej mbi 9%.

“Mbledhja e të hyrave gjatë janarit të këtij viti ka shënuar rritje e cila nëse krahasohet me vitin e kaluar tregon qartë se performanca e doganës ka shënuar rritje, gjatë janarit 2020 ne kishim grumbulluar 73,2 milionë euro derisa raporti i këtij viti tregon 80,1 milionë euro apo apo 9.3% më shumë”, thuhet në komunikatë.

Kjo rritje sipas Doganës është domethënëse pasi janari i vitit të kaluar 2020 ishte muaji i vetëm i vitit i cili ishte pa ndikimin ekonomik të shkaktuar nga pandemia COVID 19, prandaj edhe kjo arritje tregon përkushtimin e doganës për të realizuar planifikimet financiare.

Share.