Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka pasur sot një video-konferencë me Shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, z. Gabriel Di Bella, të cilin e njoftuan për rishikimin e Buxhetit të Kosovës, Pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe veprimet që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për t’i përballuar pasojat ekonomike të pandemisë COVID – 19.
Sipas kumtesws ministrore, Bajrami e njoftoi Di Bella për Projektligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike – COVID – 19, për plotësimin dhe ndryshimin e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Republikës së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19.
Ndërsa, De Bella theksoi gatishmërinë e Misionit të FMN-së në Kosovë për të bashkëpunuar edhe më tej me institucionet e Republikës së Kosovës në projekte konkrete zhvillimore.