Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka quajtur konspiracion idenë se do të ketë shkëmbim territoresh ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë. Hoti ka thënë se krejt këto nuk janë të rëndësishme për të, dhe si kryeministër i vendit do të shkojë në dialogun me Serbinë me platformën e përgatitur nga qeveria në te cilën nuk pjesë tema të tilla. Hoti ka thënë se ka mandat kushtetutës të përfaqësojë Kosovën në bisedime dhe se askush nuk mund të ndërhyjë në kompetencat e tij.
Në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës për të diskutuar rreth platformës së qeverisë së Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, Hoti ka thënë se është e rëndësishme që në Kosovë te gjithë të jenë në një faqe sa i përket çështjes së dialogut.
Hoti: Konspiracionet për shkëmbim territoresh nuk kanë rendësi për mua
“Nuk i di prapaskenat e këtij procesi, atë qe kam kërkuar nga partnerët tanë ndërkombëtar në ditën e parë qe e kam marrë detyrën, nga telefonatat në Berlin, Paris, Bruksel e Uashington, kam kërkuar si kryeministër të di ku ka arritur procesi, përgjigja e tyre ka qenë e qartë , nuk ka arritur askund, dy palët do të uleni, si dy shtete të pavarura dhe do të negocioni për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që duhet të dërgoj të njohja reciproke. Çka nënkupton kjo, Nënkupton që të gjitha konspiracionet e ndryshme për harta e shkëmbim të territoreve për mua janë jo relevante, nuk janë të vërteta, nuk e di a kanë ndodhë apo nuk kanë ndodh, por nuk merren parasysh dhe nuk janë pjesë e diskutimeve qe do të kem unë bashkë me ekipin tim në këtë proces”, tha Hoti.
Hoti tha se nuk është në dijeni nëse ekziston ndonjë draft i marrëveshjes Kosovë-Serbi, ndërsa ka ripërsëritur se kompetencat e tija sa i përket dialogut nuk mund t’ia rrëmbejë askush.
Hoti: Kam mandate të negocioj në dialog, askush nuk mund të ndërhyj ne kompetencat e mija
“Unë kam mandat që të negocioj mbi bazën e Kushtetutës, asnjë mandate tjetër nuk kam, Kushtetuta më jep autorizime të qarta të udhëheq këtë proces dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e bën edhe më të qartë në detaje e tregon kompetencat e mija në procesin e dialogut, të cilat kompetenca as nuk dua as nuk mundem t’i transferojë të dikush tjetër, as nuk do të lejoj dikush tjetër të ndërhyjë në kompetencat e mija. Kjo nuk ka nevojë as të thuhet”, tha Hoti.
Ai tha se në dialog synojnë njohje reciproke, njohje të Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe sipas tij këto duhet të ndodhin menjëherë me nënshkrimin e marrëveshjes.
Hoti tha se do të adresojnë të gjitha çështjet e hapura me Serbinë.
Ndërsa ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert, tha se vetëm një zgjidhje që respekton vlerat evropiane mund të dërgojë përpara procesin e dialogut.
Ai përmendi edhe çështjen për korrigjim kufij ku tha se nuk ka ndonjë shembull praktikë që ndryshimi i territoreve ka mundësuar normalizim.
Hubert: Korrigjimi i kufijve mund të sjellë tragjedi njerëzore
“Në frymën e zhvillimeve të fundit kemi parë që akterë të tjerë po e ndihmojnë procesin, ata mund të kontribuojnë, por të gjithë duhet të kuptojnë që për problemet evropiane duhet zgjidhje evropiane. Vetëm procesi evropian mund të sjellë atë që duan edhe Kosova edhe Serbia… Ndryshimi i kufijve përgjatë linjave etnike nuk dërgon në këtë drejtim, korrigjimi i kufijve nuk ka funksionuar kurr, e dimë që në Ballkan, në Evropë, kur përpiqemi të zgjidhim një problem duke lëvizur popullatën nuk funksionon sepse konflikti fillon përsëri…Nuk ka ndonjë shembull të historisë moderne se ndryshimi i territoreve ka mundësuar normalizimin, përkundrazi një qasje e tillë do të ishte recetë për tragjedi të mëtutjeshme njerëzore”, tha ai.
Ai tha vetëm zbatimi i plotë i marrëveshjeve mund të bëjë ndryshimin.
Ndërsa këshilloi që Kosova mos të ngutet por të investojë në krijimin e besimit, duke shtuar që procesi ti dialogut ë jetë gjithëpërfshirës dhe transparent./ Tv Malisheva