Në vazhdën e takimeve në ditën e parë të punës, kryeministri Avdullah Hoti pasditen e se enjtes ka vizituar Ministrinë e Shëndetësisë. Aty u prit nga ministri i sapo zgjedhur, Armend Zemaj dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani. Shefi i ekzekutivit tha se në qeverinë e re kanë hartuar një plan të zhvilluar për përballje afatgjate me pandeminë Covid-19.

Në një konferencë për përbashkët pas takimit, kryeministri Hoti theksoi se duhet ndërtuar një rrjet i institucioneve nga niveli terciar, deri tek ai primar për luftuar koronavirusin.

Hoti: Ne kemi një plan bukur të zhvilluar për përballje afatgjate në këtë pandemi

“Po lutemi që të kalojmë sa më lehtë dhe po duket që jemi duke e kaluar lehtë. Unë kërkova nga drejtori dhe ministri që të mbajnë lartë vetëdijen qytetare të kalojmë këtë gjendje. Sikur që e kam prezantuar në seancë dhe e kemi në program qeverisës. Ne kemi një plan bukur të zhvilluar për përballje afatgjate në këtë pandemi, e cila mundëson që kur po hapemi gradualisht, të njëjtën kohë të marrim masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit. Atë që drejtori i Institutit e ka përmend vazhdimisht që mos t’i japim virusit këmbë për të infektuar nga personi në person tjetër. Duke ndërtuar një rrjet të institucioneve nga niveli terciar deri tek ai primar, publik dhe privat. Duke e fuqizuar në veçanti stafin mjekësor dhe shëndetësor”,

E ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në paraqitjen e tij të parë u zotua se do të avancojnë sistemin shëndetësor në Kosovë.

Zemaj: Do të avancojmë sistemin shëndetësor

“Kjo është edhe vizita e parë e kryeministrit të Republikës së Kosovës në këtë dikaster. Jo vetëm për shkak të aktualitetit që gjendemi, por edhe të interesit të kryeministrit që të avancojmë sistemin shëndetësor dhe të eliminojmë ato defekte që i kemi të njohura”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani tha se situata me pandeminë në Kosovë është e menaxhueshme dhe po i mbajnë në kontroll vatrat e reja epidemike.

Ramadani: Është një situatë që po e mbajmë në kontroll

“Është një situatë që po e mbajmë në kontroll, është një situatë e qëndrueshme. Por kjo situatë nuk na len vend për vend kënaqësi, por përkundrazi do të jemi në një angazhim të shtuar duke pasur parasysh se tashmë ka ndodhur faza e tretë të lehtësimit të masave. Në këtë kontekst kemi menduar që qytetarët tashmë janë të vetëdijesuar dhe me hapjen e gjitha aktiviteteve ne do të shkojmë drejt normalizimit të gjendjes… në Kosovë kemi një rritje të rasteve në disa vatra të vogla epidemike të cilat janë në mbikëqyrje të plotë. Mund të ruhen në kontroll nëse kemi ndihmën e përbashkët të çdo qytetari “, tha ai.

Kryeministri Avduallah Hoti dje është votuar në Kuvendin e Kosovës me vota minimale prej 61 sosh, ndërkaq mëngjesin e sotëm ka marrë detyrën./Tv Malisheva

Share.