Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka zhvilluar një telefonatë me kryesuesin e Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës Šefik Džaferović.
Hoti ka kërkuar angazhimin e Džaferović për heqjen e sa më parë të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“E falënderova z. Džaferović për nismën e tij për njohjen e Republikës së Kosovës nga Bosnja e Hercegovina, ndërkohë që kërkova vazhdimin e angazhimit të tij për heqjen sa më parë të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, me qëllim të realizimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit midis të dyja vendeve”, ka shkruar Hoti në ‘facebook’.
Hoti tutje thotë se ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për hapjen e Zyrave Ndërlidhëse mes të dyja këtyre vendeve.
“Po ashtu, shpreha gatishmërinë e Qeverisës së Republikës së Kosovës për hapjen e Zyrave Ndërlidhëse midis të dyja vendeve, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe të kulturës. Gjatë kësaj bisede, me mua ishin edhe Zëvendësministri i Tregtisë e Industrisë, z. Ćerim Bajrami dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, z. Rasim Demiri”, ka shkruar mes tjerash Hoti.