Kryeministri Avdullah Hoti edhe njëherë ka thënë se për dialogun me Serbinë, në emër të shtetit flet kryeministri, dhe se është ai i cili do të përfaqësojë Kosovën në takimin e 27 qershorit në Uashington.
Pas takimit me liderët e partive politike, pa dy partitë më të mëdha opozitare dhe Listën Serbe, Hoti ka thënë se të gjithë në takim i kanë dhënë mbështetje qasjes së qeverisë në procesin e dialogut. Ai ka bërë të ditur se të martën do të raportojë para Kuvendit të Kosovës lidhur me platformën për dialog.
Një javë para se të udhëtojë për në Shtëpinë e Bardhë, shefi i ekzekutivit ka thënë se duhet të jetë e qartë për të gjithë se është ai i cili e përfaqëson Kosovën në procesin e dialogut.
Hoti, i cili do të qëndrojë në Uashington me ftesë të emisarit special të SHBA-së për dialogun, ka thënë se pjesë e delegacioni të qeverisë do të jenë personat që ai i konsideron të nevojshëm në këtë takim.
Hoti: Në emër të Kosovës, për dialog flas unë
“Ta kemi të qartë të gjithë, në procesin e dialogut Kosova përfaqësohet nga kryeministri i vendit, dhe nga pjesa e delegacionit që unë e vlerësoj të nevojshme për të çuar këtë proces. Në emër të Republikës së Kosovës për procesin e dialogut flas unë, sepse kompetencat kushtetuese janë të qarta”, tha Hoti.
Në takimin e parë me liderë politikë, që Hoti po e quan forum të liderëve, nuk shkuan përfaqësuesit e Vetëvendosjes, Partisë Demokratike e as të Listës Serbe. Për këta të fundit, kryeministri tha se ka pasur takime individualë dhe se ka marrë mbështetjen e tyre në këtë proces.
Hoti: Jemi të gatshëm të ulemi në tavolinën e dialogut
“Të gjithë pa përjashtim i dhanë mbështetje qasjes që e kemi si qeveri, parimeve që i kemi vendosur për procesin e dialogut, dhe transparenca që do të sigurojmë gjatë gjithë kohës në këtë proces. Jam i inkurajuar me këtë mbështetje, dhe tash me gjithë ekipin që do ta funksionalizojë së shpejti në kuadër të këshillit të ekspertëve për dialog brenda zyrës sime, të mbështetur edhe nga disa partnerë ndërkombëtarë, ne jemi gati të ulemi në tavolinën e dialogut për një qëllim të vetëm, marrëveshje përfundimtare që nënkupton njohjen reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve tona”, tha Hoti.
Hoti ka ftuar partitë opozitare që të marrin rolin mbikëqyrës në procesin e dialogut me Serbinë, përmes forumit të liderëve dhe komisionit parlamentar për dialog. Ai tha se do të vazhdojë t’u qaset partive politike dhe se është i gatshëm t’u shkojë në takim edhe në selitë e tyre.
Hoti: Do të vazhdoj t’i ftoj për takim liderët e partive politike
“Kam dërguar ftesa dje të gjithë liderëve të partive politike. Unë do t’u qasem atyre edhe në ditët e ardhshme kudo që ata e shohin të nevojshme të takohen, në zyrën time, Kuvend ose në zyrat e tyre të partive politike, për t’i informuar ata për qasjen që ka Qeveria e Kosovës karshi dialogut dhe për të marrë sugjerime dhe vërejtjet e tyre për këtë proces”, tha ai.
Javën e ardhshme, para udhëtimit në SHBA, kryeministri i Kosovës fillimisht do t’u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilëve do t’u prezantojë platformën dhe do t’u kërkojë themelimin e komisionit parlamentar për dialogun. /KosovaPress/