Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka vizituar edhe ndërmarrjen “Ferronikeli” në Drenas, ku është pritur edhe nga kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.

Nga aty shefi i ekzekutivit ka premtuar se kjo ndërmarrje do të ketë të gjithë mbështetjen e Qeverisë së tij.

Ai ka shtuar se ndërmarrja “Ferronikeli” ka rëndësi strategjike për Kosovën.

Hoti: Ndërmarrja “Ferronikeli” ka rëndësi strategjike për Kosovën

“Erdhëm të bisedojmë për mbarëvajtjen e punëve në këtë kompani, e cila ka rëndësi strategjike për Kosovën, për shkak të nivelit ta lartë të eksporteve që ka. Biseduam për disa prej çështjeve që ne mundë të ndihmojmë këtë kompani…Sa na përket neve si Qeveri bashkë me komunën do të ketë të gjithë mbështetjen e nevojshme brenda kornizës ligjore që ne na lejon për të mbështetur këtë kompani”, ka thënë Hoti.

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci u shpreh i gatshëm që si komunë, të ndihmojnë këtë ndërmarrje.

Lladrovci: Ndërmarrjes i kërkojmë ta ruaj numrin e punëtorëve

“Ne i kemi mbështet dhe vazhdojmë t’i mbështesim duke i ndihmuar që këta të vazhdojnë të prodhojnë dhe duke kërkuar nga ta që të ruajnë numrin e punëtorëve sepse është edhe në interes të komunës sa i përket ruajtjes së numrit të punëtorëve”, ka thënë Lladrovci.

Të njëjtën përkrahje ka ofruar edhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, i cili ka thënë se do të ndihmojnë këtë ndërmarrje në kuadër të programit për rimëkëmbje ekonomike.

Kuçi: Do ta ndihmojnë në kuadër të programit për rimëkëmbje

“Në kuadër të programit për rimëkëmbje ekonomike do të gjejmë mundësinë me ndihmu përmes lehtësirave që janë paraparë edhe me program ato tani kanë kaluar në kuvend dhe presim që kuvendi ta kryej punën e vetë”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, pronari i ndërmarrjes “Ferronikel”, Samir Mane, duke shpalosur problemet me të cilat po ballafaqohen për shkak të pandemisë, ka kërkuar mbështetje nga Qeveria Hoti.

Mane: Koha nuk është më e mira për Feronikelin

“Koha nuk është më e mira për Feronikelin por ne do të bëjmë atë që na takon për të depërtuar në tregjet ndërkombëtare, çmimi për momentin është i ulët por besoj që ekonomia botërore do të ngritet, të paktën për ato që i takojnë qeverisë do të isha shumë mirënjohës sikur problematikat që kemi ngritur sot, të adresohet aty ku duhet siç duhet dhe natyrisht në kohën e duhur”, ka thënë ai.

Ndryshe, kryeministri Hoti ka vizituar edhe një kompani në komunën e Ferizajt, ku ka thënë se në momentin që Kuvendi miraton rishikimin e buxhetit, do të nisin mbështetjen për sektorin privat./Tv Malisheva

Share.