Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka prezantuar të mërkurën në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kornizën e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë. Ai ka thënë se dialogu në mes Kosovës dhe Serbinë do të zhvillohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

Kreu i ekzekutivit bëri të ditur se, procesin e dialogut do të udhëhiqet nga kryeministri i vendit, përderisa ftoi të gjithë liderët e partive të jenë pjesë e këtij procesi.

Hoti: Dialogu do të zhvillohet vetëm mbi baza të Kushtetutës së Kosovës

“Dialogu do të zhvillohet vetëm mbi baza të kushtetutës së Kosovës, dialogun e udhëheq kryeministri i vendit. Unë nuk dua të bëjë kurrfarë gare me bartësit tjerë institucional të vendit sepse kompetencat e mia kushtetuese janë të qarta për të gjitha çështjet përfshirë edhe dialogun”, ka deklaruar Hoti.

Sa u përket parimeve të dialogut, Hoti theksoi se integriteti territorial i Kosovës është i panegociushëm.

Hoti: Parimi i parë është që integriteti i territorial i Kosovës është i panegociueshëm

“Sa i përket parimeve të dialogut, tri janë kryesoret, parimi i parë është që integriteti i territorial i Kosovës është i panegociueshëm, e dyta është organizimi kushtetues dhe shtetëror i Kosovës është i panegociueshëm dhe e treta marrëveshja që duhet të arrihet, duhet të jetë në përputhje me frymën e kushtetutës së Kosovës”, deklaroi

Derisa fletë për parimet e dialogut, i pari i ekzekutivit tha se, nuk ka kuptim asnjë marrëveshje e cila nuk do të siguronte ulëse në OKB dhe njohje të Kosovës nga 5 vendet e BE-së.

Ai theksoi se objektiva qenësore e dialogut Kosovë-Serbi do të jetë shfuqizimi i rezolutës 12 44.

Hoti: Objektiva qenësore e dialogut Kosovë-Serbi do të jetë shfuqizimi i rezolutës 12 44

“E para është njohja reciproke, nuk ka kuptim asnjë marrëveshje e cila nuk siguron njohje reciproke dhe jo njohje reciproke të përkohshme por njohje që siguron ulëse në OKB dhe na siguron menjëherë njohje nga 5 vendet e BE-së që ende nuk na kanë njohur. Përtej kësaj ne pastaj futemi në procese të rregulla të anëtarësimit euroatlantik në BE dhe Nato… Objektivi jonë në këtë marrëveshje është që ne të adresojmë të gjitha çështjet e hapura në mes të dy vendeve, të pa gjeturit, dëmet e luftës, suksesin i pasurisë së ish Jugosllavisë, e një listë e gjatë e çështjeve që janë në pritje….Si objektivë qenësore e procesit të dialogut është që të shfuqizohet rezoluta 12 44”, tha ai.

Sa i përket organizimit të këtij procesi, kryeministri Hoti, bëri të ditur se, do të krijojnë një forum ku do të përfshihen liderët e partive politike dhe i cili do të ketë rol mbikëqyrës në këtë proces.

Hoti: Fillimisht të krijojmë forumin e liderëve të partive politike parlamentare

“Sa i përket organizimit të procesit, fillimisht të krijojmë forumin e liderëve të partive politike parlamentare, i cili do të jetë konsultativë me qëllim që të ndërtohet konsensusi i nevojshëm politik në vend, ky forum nuk do të merr asnjë kompetencë që e ka kryeministri ose kuvendi apo presidenti. Do të jetë një forum të cilin do ta informojë për qëndrimet që do të mbajë si kryeministër në procesin e dialogut…Unë kamë takuar liderët e partive politike që janë pjesë e këtij dialogu i kemi bërë ftesë edhe opozitës dhe nga këtu i bëjë ftes atyre që të pranojnë të na dëgjojnë, qasjen tonë karshi këtij procesi dhe të bëhen pjesë e procesit”, tha ai.

Hoti adresoi edhe një kërkesë ndaj kuvendit të Kosovës, ku kërkoi që këta të fundit të themelojnë një komision parlamentar, në të cilin do të marrin pjesë të gjitha grupet parlamentare, ku do të kenë mundësi të mbikëqyrin nga afër procesin e dialogut dhe që duhet të kryesohet nga opozita.

Ndërsa Akademiku, Mehmet Kraja, theksoi se bazë e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë kushtetuta e Kosovës, derisa bëri të ditur se faktori politik i Kosovës nuk mund të paraqitet i ndarë.

Kraja: Bazë e dialogut me Serbinë duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës

“Bazë e dialogut me Serbinë duhet të jetë kushtetuta e Kosovës, këtë tash më e kemi bërë të qartë dhe në këtë pikë besoj që është arritur një konsensus i përgjithshëm. Ajo që i ka munguar procesit të deri tashëm të dialogut ka qenë paqëndrueshmëria e faktorit politik të Kosovës, pjesëmarrës ose jo në procesin e bisedimeve…Një pjesë e faktori të jashtëm e ka interpretuar gatishmërinë e Kosovës për të qenë konstruktive në dialog si gatishmëri për të bërë kompromise, përtej parimeve bazë të kushtetueses…Faktori politikë i Kosovës nuk mund të paraqitet i ndarë në mënyrën e këtillë dikush do të bëjë dialog me ndërmjetësimin e ShBA-së dikush me ndërmjetësimin e BE-së”, deklaroi ai.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë./Tv Malisheva

Share.