Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nuk e di se kur do të mbahet takimi i radhës me palën serbe në Bruksel, por tha se çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk do të jetë më temë diskutimi.

Hoti tha se kjo temë është mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe nuk do të hapet më në procesin e bisedimeve.

Megjithatë, Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës është e vendosur të çojë përpara procesin e dialogut.

Hoti: Tema e asociacionit nuk diskutohet më

“Për asociacionin, siç e kam bërë të qartë, kjo temë nuk diskutohet sepse është mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013, dhe pastaj marrëveshja tjetër e parimeve 2015 që në fakt e përmirëson marrëveshjen 2013. Kjo nuk është temë që hapet në procesin e dialogut, nuk e di a do të mbahet takimi në Bruksel apo jo, do ta shohim në ditët e ardhshme, por ne jemi të vendosur të çojmë përpara procesin e dialogut”, tha Hoti.

Meqë siç tha ai, është interes strategjik i regjionit dhe gjithë Evropës që sa më shpejt të përmbyllet çështja Kosovë-Serbi.

Hoti edhe njëherë tha se Kosova s’ka pse të bëjë kompromise më në këtë çështje, meqë sipas tij janë bërë mjaftueshëm që prej vitit 2008. Këtu ai ka përmendur edhe vendimet e qeverisë që ai udhëheq, lidhur me taksën dhe masën e reciprocitetit.

Hoti: Kosova i ka kryer kompromiset në vitin 2008

“Kosova i ka kryer kompromiset në vitin 2008 dhe e kam thënë disa herë krejt Kushtetuta e Kosovës dhe aranzhimi ligjor kushtetues i vendit është kompromis, për pavarësinë, dhe integrimin që presim ta kemi së shpejti”, tha ai. /TV Malisheva

Share.