Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se kjo parti nuk shantazhohet dhe se nuk do të lejojë që dikush ta marrë peng shtetin e Kosovës.
Këtë reagim Hoxhaj e ka bërë ndaj debateve të fundit mbi pozitën e presidentit të vendit, duke thënë se PDK-ja është e gatshme të ulet dhe të bisedojë me të gjitha partitë politike për tejkalimin e krizës institucionale, por ka bërë të ditur se kjo parti ka propozim për kandidat për president.
Ky është statusi i plotë i Hoxhajt:
Partia Demokratike e Kosovës nuk shantazhohet dhe as nuk do të lejojë që dikush ta marr peng shtetin e Kosovës. Jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë me çdo parti politike paralamentare që ta tejkalojmë krizën institucionale në vend dhe ta zgjedhim një president dinjitoz që i shërben unitetit të brendshëm dhe thellon partneritetin me aleatët tonë. Por, PDK nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë.
Republika jonë është mbi interesat politike dhe egot personale. Kushdo që kërkon votat e deputetëve të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, duhet ta kuptoj njëherë e përgjithmonë, që në atë propozim e ka brenda edhe kandidatin e PDK-së!
Barrikadimi pas propozimeve individuale, ende pa filluar një diskutim politik ndërmjet partive parlamentare, është i dëmshëm dhe nuk e ndihmon tejkalimin e krizës por vetëm thellimin e saj.