Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka seriozisht mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti.

Ai në Rubikon të Klan Kosovës ka thënë se partia e Kurtit e ka frikë qeverisjen, dhe sipas tij, nuk kanë njerëz, as dije e as përvojë për qeverisje.

“Vetëvendosje asnjëherë nuk ka bërë kërkesë zyrtare për një takim të tillë, nuk munden thirrje të tilla të bëhen në studio televizive. Le t’i sjellin 40 nënshkrime në Kuvend. Jemi të gatshëm të takohemi nëse na bëjnë ftesë zyrtare. Vetëvendosje e ka frikë qeverisjen, nuk kanë njerëz, as dije e as përvojë për të qeverisur. Nuk e kanë seriozisht mocionin e mosbesimit”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ndërkaq ka komentuar mundësinë e një koalicioni qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe AAK-së së Ramush Haradinajt.

“Vetëvendosje dhe AAK kanë pasur një koalicion të koktejeve të molotovit dhe këtë e kemi parë në Kuvend. Edhe sot e kësaj dite na kanë lënë pa viza dhuna në Kuvend, rrugë dhe sheshe të Prishtinës. Një koalicion i tillë i ardhshëm do të ishte një koalicion i koktejeve të molotovit. Kjo më shumë flet për mendësinë e këtyre dy partive”, u shpreh ai.

Share.