Infektologu Valbon Krasniqi ka reaguar pas raportimeve se shumë qytetarë po u drejtohen pikave turistike në kohën kur vendi ynë po shënon rritje të numrit të personave të prekur me COVID-19.

Sipas informacioneve të fundit të IKSHPK-së, 283 raste janë të konfirmuara në gjithë Kosovën, prej tyre shtatë të vdekur.

Por, kjo duket se nuk po ndikon që faktin që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, në mënyrë që të jenë sa më të sigurt nga përhapja e kësaj sëmundje për të cilën ende nuk ka vaksinë.

Ata edhe gjatë ditës së sotme i janë drejtuar Prevallës, ku janë ndaluar nga Policia e Kosovës dhe janë kthyer mbrapshtë.

E dalja e qytetarëve në këtë kohë pandemie ka shkaktuar reagimin e infektologëve kosovarë, të cilët këshillojnë për qëndrim në shtëpi.

“Nuk munda të rri i qetë kur lexova në portalet tona se shumë qytetarë sot ja paskan mësyrë Prevallës. Në një video nga atje po shihen dhjetëra vetura duke pritur në radhë. Kjo nuk duhet të ndodhë ,, kjo NUK GUXON të ndodhë.
Prevallën do ta kemi aty edhe pasi të kalojë pandemia. Ndjej obligim profesional e qytetar, që t’ju bëj thirrje atyre njerëzve të kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Prevallën , Badovcin, Rugovën, Batllavën e shumë bukuri tjera natyrore të Kosovës do t’i shijojmë të gjithë bashkërisht pasi të kalojë epidemia. Uroj të kuptohet drejt kjo thirrje e imja dhe thirrjet e gjithë kolegëve e autoriteteve tona shëndetësore për të qëndruar në shtëpi. #Rrinshpi Mos e bëni veten për spital”, shkruan infektologu Valbon Krasniqi në Facebook/TVMalisheva

Share.