Qeveria e Kosovës ka obliguar institucionet private dhe publike të organizojnë në distancë punën me stafin dhe bartjen e maskave si pjesë e luftës për parandalimin e koronavirusit, në kohën kur vendi për dy ditë me radhë është përballur me numrin më të lartë të rasteve të reja që nga shpërthimi i pandemisë në mars.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë është përkrahur vendimi që të gjitha institucionet publike dhe private të organizojnë punën me stafin e tyre duke respektuar distancën ose online nga shtëpitë e tyre.

Ministri Armend Zemaj tha se kjo bëhet me rekomandim të IKShP-së, ku shtoi se të gjithë institucionet publike e private obligohen të shtojnë kontrollet rigoroze për bartje të maskave.

“Me qëllim të parandalimit të përhapjes IKSHPK na ka rekomanduar neve si Ministri e Shëndetësisë, të përkrahim vendimin që të gjitha institucionet publike e private obligohen të organizojnë punën me stafin e tyre në distancë fizike apo nga shtëpitë, online, që nënkupton të reduktohet stafi. Të gjitha institucionet publike dhe private të shtojnë kontrollet rigoroze të bartjes së maskave”, tha Zemaj./Tv Malisheva

Share.