Në dyvjetorin e vdekjes, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka përkujtuar simbolin e rezistencës kosovare, Adem Demaçi.
Mustafa ka thënë se Demaçi ishte veprimtar i pathyeshëm i çështjes kombëtare, i cili me vullnet të pashembullt, sakrifikoi pjesën më të madhe të jetës së tij nëpër burgjet e regjimit okupator, në shërbim të kauzës kombëtare për liri.
“Demaçi mbetet sinonim i flijimit dhe sakrificës për atdhe, duke u dergjur burgjeve serbe gati tri dekada, prandaj është model i njeriut të pathyeshëm për kauzën e lirisë. Me veprimtarinë e tij, u bë simbol i sakrificës dhe rezistencës për liri, duke motivuar breza të tërë që të mos heqin dorë nga lufta e drejtë për liri dhe pavarësi. Kontributi dhe sakrifica e tij, në kohërat më të vështira për shtetin tonë, ishin frymëzim për të punuar në arritjen e synimeve tona për krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. I përjetshëm kujtimi për simbolin e rezistencës kosovare, Adem Demaçi”, ka thënë Mustafa.