Njëjtë si në pjesët tjera të Prishtinës, KEDS është duke i larguar të gjitha shtyllat elektrike dhe duke e vendosur rrjetin elektrik komplet nën tokë edhe në Pejton, ku mbi 4500 konsumatorët e kësaj lagje do të kenë rrjet modern.
Krijimi i fyteve të ngushta ishte theksuar edhe më tepër me faktin se Pejtoni njihej si lagje me shtëpi njëkatëshe, ndërsa tashmë aty ka me dhjetëra ndërtesa të larta dhe kabllot e rrymës nuk mjaftonin ta përballonin kërkesën e rritur.
Tashmë në kanalet kabllovike të hapura enkas janë të vendosura anekënd Pejtonit mbi 26 mijë metra kabllo të tensionit 20 kV dhe në të njëjtën kohë konsumatorët do të kenë edhe linja rezervë alternative, gjë e cila nënkupton që nëse dalja e tyre ka prishje, menjëherë furnizimi kalon në daljen alternative dhe konsumatori nuk ballafaqohet me mungesë energjie.
Investimet milionëshe në Pejton janë pjesë e megaprojektit që po zhvillon KEDS për Prishtinën.
Pjesa më e madhe e rrjetit të Tensionit të Mesëm dhe një pjesë e konsiderueshme e Tensionit të Ulët deri vitin e ardhshëm do të vendoset nën tokë.
Pas përfundimit të punimeve, 90 mijë nga 120 mijë konsumatorët e Prishtinës do të kenë furnizim alternative, ku do të dyfishohen kapacitetet distributive përmes zëvendësimit të të gjitha kabllove, të cilat do të jenë të reja dhe me kapacitet 20 kV nga 10 kV sa janë tani.
Pas përfundimit të këtyre investimeve në vlerë 17 milionë euro, rrjeti elektrik në kryeqytet do të jetë kompatibil me rrjetet më të avancuara evropiane dhe Prishtina nuk do të ketë nevojë për investime në rrjetin elektrik distributiv për 30 vjetët e ardhshëm./Tv Malisheva