Njësitë A3 dhe A5 të TC Kosova A më 6 dhjetor 2021 kanë rënë nga sistemi si rezultat i avarisë, thuhet në një deklaratë të përbashkët të KEK-ut dhe KOSTT-it, duke hedhur poshtë kështu pohimet se rënia e blloqeve kishte qenë e qëllimshme.

Në deklaratë thuhet se njësitë A3 dhe A5 kishin rënë nga sistemi si rezultat i lidhjes së shkurtër në stabilimentet e tensionit të lartë – 220 kV, asete të KOSTT-it dhe sipas ekspertëve të KEK-ut dhe KOSTT-it e gjitha ka ndodhur si rezultat i problemeve teknike dhe se rënia ishte e paplanifikuar.

“Pas përfundimit të raportit profesional nga ekspertët e dy palëve KEK dhe KOSTT, eliminohen dyshimet e pavend dhe përgënjeshtrohen të gjitha deklaratat e pabaza që u hodhën në opinionin publik kinse kemi të bëjmë me një veprim të qëllimshëm nga kushdo qoftë”, thuhet në deklaratë.

Për më tepër, KEK-u dhe KOSTT-i njoftojnë se në raste të tilla prioritet është sanimi i problemit, ndërsa hapi i dytë sipas procedurave është ngritja e një komision të përbashkët profesional për ta hulumtuar rastin. Një procedurë e tillë është zhvilluar edhe për rastin në fjalë, me ç’ rast me vendimin e përbashkët të datës 10.01.2022 ishte formuar komisioni profesional për përpilimin e raportit në lidhje me identifikimin e shkaktarit të prishjes.

“Me qëllim të transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit, dy njësitë e TC Kosova A (A3 dhe A5) bazuar në raportin e komisionit të përbashkët profesional KEK-KOSTT të datës 26.01.2022 vërtetohet se kanë rënë nga sistemi si rezultat i një avarie në sistem përkatësisht në shkarkuesin e mbitensionit dhe

më pas në izolator tërheqës 220kV që ka ndikuar në rënien e zbarrës kryesore të tensionit të lartë 220kV në asete të KOSTT. Në këto zbarra ka qenë e lidhur edhe njësia A3 e TC Kosova A, e cila në momentin që është shkaktuar lidhja e shkurtër ka rënë nga sistemi duke ekzekutuar dhe zbatuar procesin për mbrojtje të

gjeneratorëve, ndërkohë që njësia A5 si rezultat i luhatjes së madhe në sistem dhe ngarkesës me fuqi reaktive nuk ka arritur të qëndrojë në operim dhe për pasojë edhe ajo ka rënë nga operimi”, thuhet në deklaratë.

KEK dhe KOSTT-i apelojnë te të gjitha palët që në të ardhmen të presin informatën dhe sqarimin zyrtar nga ekspertët e fushës, me qëllim të shmangies së paqartësive dhe keqinformimit të opinionit./TV Malisheva

Share.