Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar projektligjin për rishikimin e buxhetit 2021. Megjithatë, opozita pati kritika për këtë projektligj, meqë kjo pikë u fut me shpejtësi në rend të ditës, pa u lexuar mirë nga anëtarët e këtij komisioni. Të njëjtit kanë thënë se programi qeverisës nuk reflektohet në këtë rishikim.
Para këtij komisioni, ministri i Financave, Hekuran Murati ka arsyetuar projektligjin e miratuar ditë më parë në qeveri. I njëjti ka thënë se nevoja për rishikim ka ardhur si rezultat i performancës më të mirë se sa që është pritur.
“Nevoja për rishikim ka ardhur si rezultat i performancës më të mirë se sa që ishte pritur i të hyrave. Nga një projektim fillestar me ligjin e buxhetit bazik prej 1 miliard e 887, 9 milionë euro kemi një projeksion të ri tani, prej 2 miliardë e 43, 2 milionë euro. Kurse tek shpenzimet nga një shpenzim i paraparë i projektuar në ligjin bazik të buxhetit ku ishte paraparë 2,45 milionë euro investime, tani kemi 2 miliardë e 516 milionë euro investime apo shpenzime. Sa i përket kategorive tjera ka disa ndryshime. Më saktësisht kemi bërë përshtatje bazuar në performancën e deritanishme, ka një ulje të klauzolës së investimeve, marrë parasysh ngecjet në zbatim dhe është një reflektim më realist se në fillim të vitit. Kurse, në pjesën tjetër të të hyrave shtesë që projektojmë t’i gjenerojmë deri në fund të vitit, kemi paraparë që t’i investojmë dhe të bëhen pjesë e ringjalljes ekonomike me të cilat masa synojmë që të shtohet aktiviteti ekonomik”, ka thënë Murati.
Më tej, ai ka shtuar se deficiti buxhetor synohet të jetë -4,6 për qind, ndërsa borxhi i përgjithshëm 27,6 për qind.
Anëtari i komisionit, Bedri Hamza pati kritika për këtë projektligj, meqë sipas të cilit programi qeverisës nuk po reflektohet në rishikim.
“Tek të hyrat duhet të kemi pak kujdes, krahasimi me vitin e kaluar nuk është shumë i duhur. Ka qenë pandemi dhe e dyta në pjesën e parë të vitit të kaluar ka ndodhur shtyrja e afateve të pagesës së tatimeve. Uroj që ky trend të vazhdojë edhe në pjesën e dytë të vitit, por nuk guxojmë të marrim si të saktë vetëm krahasimin me vitin e kaluar. Rritja e të hyrave do të ishte e mirë nëse do të ishte si rezultat i performancës së ekonomisë, por është edhe si rezultat i rritjes së çmimeve tek shumë artikuj që ka ndodhur në bursa botërore. Është goxha situatë e kuptoj që pandemia e ka bërë ndikimin e vet, por që duhet të merret me kujdes çështja e deficitit buxhetor. Si të është deficiti buxhetor i madh, është edhe borxhi publik i madh. Nëse brenda një viti Kosova ka borxh publik edhe detyrohet me marr gjysmë miliardi borxh, është ngarkesë për gjeneratat e ardhshme”, shtoi ai.
Ndërsa, anëtari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se është obligim ligjor që të ulet deficiti buxhetor, këtu ai ka pyetur edhe cilat janë planet për këtë vit që të ndodhë një gjë e tillë.
“Keni mundësi që të zvogëloni këtë vit deficitin buxhetor, sepse është obligim ligjor që deficiti edhe i vitit të kaluar që është krijuar do të kompensohet në vitet e ardhshme. Shpresoj që ju keni një plan kur do ta dorëzoni buxhetin për vitin 2022 se si do të mbuloni komplet deficitin e vitit të kaluar që ka mbi rregullën fiskale. Pyetja ime është për këtë vit pse nuk është shfrytëzuar kjo mundësi, performanca shumë e mirë e ekonomisë për të mbuluar një pjesë të deficitit buxhetor, mandej buxheti i vitit 2022 do të ishte shumë më i lehtë”, ka pyetur Hoti.
Për këtë, Murati tha se deficiti bazik ka një zvogëlim dhe tani është mbi 400 milionë euro.
Anëtari i pozitës, Visar Korenica ka ngritur çështjen e subvencioneve për bujqësi.
Ministri Hekuran Murati ka thënë se ka pasur gjysmë miliardi euro subvencione në vit por që nuk ka pasur efekte, por vetëm keqpërdorime në këtë sektor.
“Skenat që u panë ditëve të fundit na bëjnë që jemi shumë të vëmendshëm sa i përket hapave të mëtutjeshëm, duke marrë parasysh që shihet se kemi të bëjmë me një strukturë të mirë të organizuar të keqpërdorimit të parasë publike sa i përket subvencioneve në bujqësi. Pa u qartësuar mjegullat në këtë aspekt, është vështirë të bëjmë hapa tutje që me vetëdije mund të qojmë pare tek të njëjtit keqpërdorues”, ka deklaruar Murati.
Pas diskutimeve komisioni me katër vota për dhe dy abstenime ka proceduar për shqyrtim në kuvend këtë projektligj.
“Unë konstatoj që me katër vota për, dy abstenime, miratohet ky rekomandim dhe administrata e procedon për kryesi”, ka deklaruar Muja.
Më tej, komisioni ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e rishikimit të Marrëveshjes Ndërkombëtare më Bankën Evropiane për Investime (BEI) për financimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.
“Pas shumë vonesave dhe sfidave, duke pasur parasysh që ky projekt ishte nënshkruar qysh në vitin 2015, pas shumë vonesave dhe sfidave të hasura në implementim, projekti nga viti 2019 e tutje ka pasur një dinamikë më të shtuar të punimeve dhe ka filluar disbursimin në grante dhe kredia. 50 për qind grand, 25 për qind kredi dhe 25 për qind nga të tjera. Kjo marrëveshje financiare e cila po amandamentohet i përket Bankës Botërore për Investime, e cila siç e thash është nënënshkruar në vitin 2015. Dhe kërkesa për amandamentim ka ardhur nga vet banka lidhur me dy çështje. E para ka të bëjë me ndryshimin e deficionit dhe onibolit nga BEI e cila është pjesë e marrëveshjes dhe e dyta marrë parasysh vonesat në implementim ka të bëjë me zgjatjen e dis-mbulueshmërisë së mjeteve dhe ndryshimin e definicionit përkatës për të lejuar afatin, e cila parashihet të shtyhet deri më 15 dhjetor 2022”, tha Murati.
Pikat tjera të rendit të ditës janë shtyrë për mbledhjen e ardhshme në mungesë kuorumi. /TV Malisheva