Instituti Demokratik i Kosovës ka shpalosur gjetjet nga analiza e burimit të problemeve në moszbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm nga komunat e Kosovës.
Diana Metushi Krasniqi tha se KDI së bashku me koalicionin e organizatave joqeveritare kanë analizuar sfidat të cilat po ndikojnë në mos zbatimin e rekomandimeve në gjashtë komuna.
“Se janë 33 çështje që lidhen me menaxhimin financiar të cilat po ndërlidhen vit pas viti. Ajo që vlen të theksohet se kjo analizë ka gjetur që prej 2015 deri në 2018 mbetet shqetësim menaxhimin i kontratave.
Sipas kësaj analize shkaktarët qe ndikojnë në moszbatimin e rekomandimeve të auditorit janë: Mungesa e evidencave të pronave, si dhe pronat e uzurpuara që ndikojnë në të hyrat e komunave”, tha ajo.
Sipas saj, problem tjetër është edhe mungesa e dispozitave ligjore në çmimet jo normalisht të ulëta.
Metushi-Krasniqi para gazetarëve tha se një nga problemet më të theksuara është ndërrimi i shpeshtë të personelit udhëheqës.
“Koalicioni i organizatave i bën thirrje qeverisë së nivelit lokal që të përmirësohen dhe të rrisin nivelin e llogaridhënies.
Ministria e Pushtetit Lokal të ndihmojë në hartimin e rregulloreve të brendshme dhe të bëjnë ndarjet adekuate buxhetore”, ka shtuar ajo.
Ajo ka kërkuar nga niveli qendror një trajtim serioz për tejkalimin e sfidave. Komunat e përfshira në këtë analizë u tha se janë Prizreni, Suhareka, Ferizaj, Lipjani, Istogu dhe Podujeva./Tv Malisheva