Ministrja e Financave Hykmete Bajrami dhe ambasadorja e Holandës në Kosovë Gerrie Willems kanë nënshkruar sot marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimin mbi të ardhurat dhe parandalimin e evazionit tatimor dhe shmangies ndërmjet dy vendeve.

Marrëveshja kontribuon në një bashkëpunim të përmirësuar ekonomik ndërmjet dy vendeve, pasi përmban rregulla të qarta për të shmangur tatimin e dyfishtë, gjë e cila do të rezultojë në më pak pengesa tregtare për bizneset holandeze dhe kosovare dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Ministrja Bajrami theksoi se Qeveria e Kosovës po mbështet masat e menjëhershme me politika të qëndrueshme që do të ndihmojnë bizneset gjatë fazës së rimëkëmbjes ekonomike.

Ndërsa, ambasadorja Willems theksoi se Holanda do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve kosovarë.

“Mbështetja holandeze për Kosovën ka një fokus në forcimin e sundimit të ligjit, por gjithashtu mbulon bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, pasi gjithnjë e më shumë kompani holandeze tregojnë interes për të bërë biznes me Kosovën. Kjo marrëveshje do të promovojë marrëdhëniet tona tregtare bazuar në rregulla të qarta. Kjo do të bëhet edhe më e rëndësishme gjatë rimëkëmbjes ekonomike të pas COVID-it, kur kërkohet një qasje e përbashkët dhe bashkëpunim i ngushtë ndërmjet vendeve, jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por në Evropë si tërësi”, tha diplomatja holandeze. /Tv Malisheva

Share.