Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot mori vendim për caktimin e afateve të aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Mitrovicës së Veriut.

KQZ miratoi edhe planin operacional për organizimin e zgjedhjeve në komunën e Mitrovicës së Veriut, ndërsa anëtarët u dakorduan që në mbledhjen e radhës të vendoset lidhur me aspektet që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve për kryetar të Podujevës, të cilat ishin shtyrë vetëm një ditë para ditës së zgjedhjeve.

Periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për komunën e Mitrovicës së Veriut do të fillojë më 21 tetor dhe përfundon më 30 tetor 2020, ndërsa data e shortit për renditjen në fletëvotim dhe publikimi i subjekteve dhe kandidatëve është 12 nëntor.

KQZ ka vendosur që fushata zgjedhore si dhe afatet për tubimet zgjedhore fillojnë më 12 nëntor dhe përfundon më 27 nëntor. Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhgueseve të subjekteve politike dhe organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve fillon më 27 tetor dhe përfundon më 21 nëntor.

Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhgueseve ndërkombëtar dhe mediave për vëzhgimin e zgjedhjeve fillon më 27 tetor dhe përfundon më 23 nëntor. Emërimi i Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve fillon më 26 tetor dhe përfundon më 27 tetor.

Po ashtu, KQZ ka bërë të ditur se aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon më 30 tetor dhe përfundon më 7 nëntor, teksa aplikimi për regjistrim për votuesit në shtëpi fillon 2 nëntor dhe përfundon më 6 nëntor.

Afati për regjistrimin për votuesit me lëvizje të kufizuar në ndonjë institucion dhe votuesve në rrethana të veçanta fillon me 16 nëntor dhe përfundon me 19 nëntor.

KQZ mori vendim për miratimin e planit të buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Mitrovicës së Veriut dhe buxhetit shtesë për zgjedhjet në Podujevë prej 193 mijë e 181 euro, për të dyja rundet siç kërkohet me ligj.

Pjesa tjetër e shpenzimeve për organizimin e zgjedhjeve në komunën e Podujevës do të mbulohen nga mjetet e alokuara gjatë muajit shkurt të këtij viti për këto zgjedhje./TV Malisheva

Share.